E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Françesku: Të heshtin armët në Siri; problemet nuk zgjidhen me përleshje!

26-08-2013 / Gazeta 55

Papa Françesku, dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në praninë e një numri të madh shtegtarësh, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, bëri përsëri thirrje për paqe në Siri, prej nga fryjnë erëra të reja lufte e përhapen në të katër anët e botës, lajme të tmerrshme, çnjerëzore. Me vuajtje e shqetësim të thellë, pohoi Papa, vijoj ta ndjek situatën në Siri. Në vend, pas më se dy vjet lufte civile, kanë gjetur vdekjen rreth 100 mijë vetë, nga të cilët, 7 mijë fëmijë. E këtyre shifrave të frikshme u duhen shtuar edhe 4 milionë refugjatë e të shpërngulur nga vatrat e veta, një e pesta e gjithë popullsisë siriane:
“Dhuna në rritje, në një luftë ndërmjet vëllezërve, e shoqëruar me shtimin e vazhdueshëm të masakrave e të krimeve rrënqethëse, që të gjithë patëm rastin t’i shikojmë në pamjet e këtyre ditëve, më shtyn edhe një herë të ngre me forcë zërin që të marrë fund vringëllima e armëve. Nuk janë përleshjet, ata që i hapin rrugën shpresës për zgjidhjen e problemeve, por aftësia për takim e dialog”.
Nga thellësia e zemrës, Papa u shprehu afërsinë, me lutje e solidaritet, të gjitha viktimave të këtij konflikti, të gjithë atyre, që vuajnë, posaçërisht fëmijëve, duke i ftuar ta mbajnë gjithnjë ndezur shpresën për paqe: “I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të tregohet më e ndjeshme përballë kësaj situate tragjike e të impenjohet me fund për ta ndihmuar Kombin e dashur sirian të gjejë rrugën për të dalë nga kjo luftë, që mbjell vetëm shkatërrim e vdekje”. Në përfundim Papa i ftoi të pranishmit të kërkojnë ndërmjetësimin e Mbretëreshës së Paqes, për paqe në mbarë botën.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, para thirrjes për Sirinë, Papa mbajti një reflektim kushtuar Ungjillit të së dielës, në të cilin Jezusi, duke folur për shpëtimin e amshsuar, të fton të hysh nëpër portën e ngushtë.
“Përpiquni të hyni nëpër portën e ngushtë”: kjo është përgjigjja e Jezusit, dhënë njeriut, i cili e pyet nëse janë shumë apo pak, ata që shëlbohen. Zoti, pohoi Papa, na tregon, kështu, rrugën e shëlbimit. Por, cila është porta, ku duhet të hyjmë?
“Kjo portë është vetë Jezusi (cfr Gjn 10,9). Ai është porta, shtegu, nëpër të cilin duhet shkelur, për të hyrë në amshim. Ai na prin kah Ati. E kjo portë, Jezusi, nuk mbyllet kurrë, është e hapur gjithnjë, për të gjithë, pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, pa asnjë privilegj. Sepse, e dini, Jezusi nuk përjashton askënd. Ndonjëri nga ju mund të më thotë: ‘Po, o Atë, unë sigurisht jam i përjashtuar, sepse jam mëkatar i madh: kam bërë gjithë të zezat në jetë...’. Jo, as ti nuk je i përjashtuar! Pikërisht për këtë, je i preferuar, sepse Jezusi e parapëlqen mëkatarin, gjithnjë. Për ta falur, për ta dashur! Jezusi po të pret për të të përqafuar, për të të dashur, për të të falur... Mos kij frikë: Ai po të pret. Nxito, merr zemër të hysh nëpër portën e Tij”.
Të gjithë, shtoi Ati i Shenjtë, janë të ftuar ta kapërcejnë këtë portë, ta kapërcejnë pragun e portës së fesë, të hyjnë në jetë e ta bëjnë të hyjë Krishtin në jetën tonë, që të na shndërrojë, të na përtërijë, të na dhurojë gëzimin e plotë e të pamort. Sot, vërejti më pas Ati i Shenjtë, kalojmë para shumë portash e të gjitha na ftojnë të hyjmë, duke na premtuar një lumturi, që zgjat një çast të vetëm, që avullohet, që nuk ka të ardhme. Prej këndej, ftesa e Papës Françesku:
“Dëshiroj të them me forcë: nuk duhet të kemi frikë ta kapërcejmë portën e besimit në Jezusin, ta lëmë të hyjë gjithnjë më shumë në jetën tonë, të dalim nga egoizmi, nga vetëmbyllja, nga indiferenca, për të shkuar drejt të tjerëve. Sepse Jezusi e ndriçon jetën tonë me dritën, që nuk shuhet më. Nuk është fishekzjarrë, nuk është flash; jo! Është dritë e ëmbël, e qetë, që vijon gjithnjë e na jep paqe. Kështu është drita që takojmë, në se hyjmë përmes portës së Jezusit”.
Kjo e Jezusit, vijoi të shpjegojë Ati i Shenjtë, është portë e ngushtë, jo pse pas saj na pret dhoma e torturave, por sepse na kërkon t’ia hapim zemrën Atij, ta pranojmë se jemi mëkatarë, nevojtarë për shëlbimin e Tij, për dashurinë e Tij; të kemi përvujtërinë për ta pranuar mëshirën e Tij e ta lëshojmë veten në dorën e Tij, që të përtërin:
“Jezusi na thotë se të jesh i krishterë nuk do të thotë të kesh një ‘etiketë’. E unë po ju pyes; ju, a jeni të krisheterë etikete apo të vërtete? E secili të përgjigjet në zemër të vet, e? Kurrë të krishterë etikete! Të krishterë të vërtetë, të krishterë me gjithë zemër. Të jesh i krishterë domethënë ta jetosh e ta dëshmosh fenë në lutje, në vepra dashurie, në mbrojtjen e drejtësisë, të mirësisë. Nëpër portën e ngushtë, që është Krishti, duhet të kalojë e gjithë jeta jonë”.
Në përfundim Papa i kërkoi Virgjërës Mari ndihmë, që të gjithë të mund ta kapërcejnë portën e fesë e ta lëshojnë veten në dorë të Birit të Saj, për të na e shndërruar jetën tonë, ashtu si e shndërroi të Sajën e për t’ua çuar të gjithëve, gëzimin e Ungjillit.Gjatë përshëndetjeve përfundimtare, drejtuar shtegtarëve, Papa, duke kujtuar se për shumëkënd këto ditë janë të fundmet e pushimeve verore, u uroi veronjësve kthim të qetë e plot forca të reja në jetën e përditshme, duke shikuar plot shpresë kah e ardhmja.

“Marrë nga Radio Vatikani"

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›