E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Universitetit Katolik: “Lidheni gjithnjë ngushtë arsyen me fenë, kërkimin racional me kundrimin e misterit”

10-05-2011 / Gazeta 55

Papa përshëndeti Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit, në ditën e tij të 87-të, me temë “Në zemër të realitetit”, kremtuar me rastin e 90-vjetorit të themelimit të ateneut nga françeskani italian, atë Agostino Gjemeli. Benedikti XVI e vlerësoi lart Universitetin, përmes një Letre, drejtuar kardinalit Dionigji Tetamanxi, Drejtor i Institutit të Lartë Toniolo i cili, në vartësi nga Selia e Shenjtë, siguron drejtimin e institucionit dhe ecjen e tij besnike në gjurmët e zanafillës. Që nga viti 1921, kur u nisi veprimtarinë, Universiteti, i themeluar jo pa vështirësi nga atë Gjemeli, ka bërë shumë rrugë: sot ka pesë seli, 14 fakultete, më se 42 mijë studentë. Papa i fton t’i lidhin gjithnjë ngushtë arsyen me fenë; kërkimin racional, me kundrimin e misterit, ashtu si lexohet në librin e natyrës e në atë të Shkrimit Shenjt. E në mënyrë posaçërisht kulmore, në Logos, në Fjalën e mishëruar, në Jezu Krishtin. E është për t’u kujtuar se Universiteti i kushtohet pikërisht Zemrës së Krishtit, mban emrin e kësaj Zemre njerëzore, në të cilën banon përsosmërisht hyjnorja, që të ndihmon të njohësh zemrën e vetë realitetit. Është një udhë, që duhet nisur nga takimi personal me Jezu Krishtin, duke e njohur si të Vërtetë, e cila u përgjigjet të gjitha pyetjeve të shpirtit njerëzor. Fillimi i dijes është frika e Zotit” pohon Libri i Fjalëve të Urta, e me të, edhe Papa.
Shërbimi edukativ i Universitetit, lexohet akoma në Letër, kalon përmes seriozitetit të punës shkencore, ushtrimit për studim metodik, pasionit për kërkime, propozimit të kritereve filozofike themelore, që kanë të bëjnë me vizionin mbi njeriun dhe marrëdhëniet e tij me të tjerët, me botën e me Zotin. Në këtë kontekst, Papa e vlerëson shumë ndihmesën që Universiteti Katolik i jep shoqërisë, me përvujtëri e me forcën e së vërtetës, përmes impenjimit të një numri të madh të rinjsh, që formohen në sallat e në bankat e tij, për të dalë, pastaj, të përgatitur për shkencën e jetën. Papa u propozoi studentëve tre shembuj të ndritur: të Lumët Gjon Pali II e Henri Njumën dhe të Nderuarin Xhuzepe Toniolo, së shpejti, edhe ky, i Lum, pa harruar, natyrisht, shembullin e themeluesit, Françeskanit të madh e shkencëtarit të madh, Agostino Xhemelit.
“Dëshmoni shpresën e krishterë për njeriun modern” - ky, mandati i Benediktit XVI për besimtarët e Verilindjes së Italisë/Përfundoi udhëtimi dy ditor i Papës Benedikti XVI në Akuilea e në Venedik të Italisë, që kishte në qendër temën e zgjedhur nga ipeshkvijtë e vendit: “Ti përforcoje fenë tonë”. E vërtet, Ati i Shenjtë u tregoi me shembuj e me fjalë se si i duhet dëshmuar njeriut të sotëm, njeriut modern, shpresa e krishterë, pa pasur frikë nga ndryshimi i kushteve politike në kohët që po kalojmë. Dy ditë, që mblodhën në dy qytete njerëz nga krejt Verilindja e Italisë, por edhe nga Istria e afërt e madje, edhe nga shtete të tjera. Papa në gondolën tradicionale venedikase ishte një spektakël, që e shijuan me ëndje jo vetëm të pranishmit, por edhe ata që e ndiqnin përmes televizionit, megjithatë, pavarësisht nga ky udhëtim piktoresk për të shkuar në Bazilikën e Shëndetit të qytetit, duke përdorur të njëjtën gondolë që patën përdorur para tij, edhe Papa Pali VI e Papa Gjon Pali II, ngjarja kryesore e ditës ishte pa dyshim mesha në Parkun e Shën Xhulianit në Mestre, zonë e qytetit të Venedikut, por jashtë qendrës së tij. 160 mijë besimtarë brenda parkut, por 200 mijë me ata që mbetën jashtë tij, e mbushën plot e përplot livadhin e gjelbërt e zonat përreth për të dëgjuar homelinë e Meshës, gjatë së cilës Papa vuri gishtin mbi plagën aktuale të shoqërisë vendase, atë të mospranimit të të huajve, përballë krizës ekonomike. Benedikti XVI i ftoi vendasit ta kapërcejnë frikën nga e reja, nga e ndryshmja, duke u bërë thirrje të krishterëve ta shndërrojnë trishtimin e kohës së tashme në shpresë e gëzim, sipas shembullit të dishepujve të Emausit, që u kthyen për vepër të Krishtit të ringjallur, Zot i jetës. Kishat e lindura nga Akuilea, theksoi Papa, janë të thirrura sot ta përforcojnë bashkimin e tyre të lashtë shpirtëror, në dritën e fenomenit të emigracionit e të rrethanave të reja gjeopolitike: “Ashtu si në të kaluarën, kur këto Kisha u dalluan për zjarrin apostolik dhe dinamizmin baritor, kështu edhe sot, duhen promovuar e mbrojtur me guxim e vërteta dhe uniteti i fesë. Duhet t’i dëshmojmë shpresën e krishterë njeriut modern, jo rrallë të dërmuar nga problematikat shqetësuese, që çojnë drejt krizës së bazave të ekzistencës e të veprimtarisë së tij”. Benedikti XVI nuk mungoi të kujtonte se krishterimi i ka shoqëruar me shekuj popujt në rrugën e tyre të historisë. Kjo fe dëshmohet sot në shumë kisha, në art, në spitale, në bibliotekat e territorit dhe në kujdesin për ambientin. Por Papa vuri në pah edhe rrezikun që krishterimi ta ndriçojë vetëm pjesërisht rrugën e njeriut: “Problemi i së keqes, i dhimbjes dhe i vuajtjes, problemi i padrejtësive dhe i shtypjes, frika nga të tjerët, nga të huajt e nga të largëtit, që vijnë në këto troje e duket sikur na cënojnë, i bëjnë të krishterët e sotëm të thonë me trishtim: ne shpresonim që Zoti të na lironte nga e keqja, nga dhimbja, nga vuajtja, nga frika, nga padrejtësitë”. Vërtet, vazhdoi Ati i Shenjtë, edhe një popull katolik si ai italian, mund t’i ndjejë negativisht goditjet e një kulture, e cila i shtyn njerëzit drejt një mënyre të menduari, që e refuzon, ose e pengon mesazhin ungjillor: “Ju inkurajoj të mos dorëzoheni kurrë para tundimeve të shpeshta të kulturës hedoniste dhe para thirrjeve të konsumizmit materialist”. Në përshëndetjen që i drejtoi Papës, Patriku i Venedikut, kardinali Anxhelo Skola kujtoi rrënjët e përbashkëta të krishtera të popujve latinë, sllavë dhe gjermanë, duke pohuar se Kishat e lindura nga Akuilea, 57 dioqeza të Venedikut, Friulit, Trentinos, Lombardisë e të vendeve evropiane fqinjë deri në Bavarisë, kanë edhe sot një detyrë të re, të përbashkët, në favor të vëllezërve, për t’u shpallur bukurinë e Krishtit të gjithë njerëzve. Në përfundim të Meshës në parkun e Shën Gjulianit, shndërruar në park publik në vitin 2003 e ku sot, për herë të parë u kremtua një meshë, Benedikti XVI tha Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke kërkuar mbrojtjen e Zojës për tokën e lashtë të Akuilesë, në të cilën shumë shenjtërore, kisha e kapela, i janë kushtuar pikërisht Nënës së Krishtit: “Dhashtë Zoti, që ju, banorë të këtyre tokave të pasura me një histori të gjatë të krishterë, ta jetoni Ungjillin sipas modelit të Kishës së parë, në të cilën shumica e atyre që ishin kthyer në fenë e Krishtit kishin një zemër të vetme e një shpirt të vetëm”.
Në Pakistan krijohet Ministria për Harmoninë Ndërfetare e për Pakicat/Tjetër ndryshim në qeverinë e Pakistanit. Ministria për Pakicat fetare bëhet Ministri Federale për Harmoninë Ndërfetare dhe për Pakicat. Në krye të saj, dy eksponentë të katolicizmit: Paul Bhati, vëllai i ministrit të vrarë, me detyrën e “këshilltarit të veçantë të kryeministrit” dhe, avokati Akram Masih Gill, me detyrën e “ministrit federal”. Ditë më parë, në krye të ministrisë u emërua një mysliman, anëtar i Lidhjes Myslimane-Q, duke shkaktuar reagime negative si nga pakicat fetare, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Vetë Rias Husein Pirzada nuk ishte i kënaqur me detyrën e re e tani, kaloi në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Në një intervistë me agjensinë katolike Fides, ministri i ri federal, Gill falenderon Papën Benedikti XVI për fjalët dhe impenjimin e tij në mbrojtje të lirisë fetare dhe të bashkësisë së krishterë pakistaneze, në nivel ndërkombëtar.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›