E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rrëmbyesi" Leka, u dënua për vjedhje

VENDIM
Në vitin 2008, Romeo Leka, u arrestua në kryeqytet për vjedhjen e autoveturës të një shoku të tij pranë Gardës së Republikës


Leka u arrestua pak momente pas krimit, ndërsa aksidentoi mjetin e vjedhur. Për këtë ngjarje ai u dënua me pesë muaj burg


TIRANË- Romeo Leka i njohur tashmë edhe si "grabitës" banke, si dhe si "rrëmbyesi" i studentes 20 -vjeçare, për rreth 30 minuta mesditën e 19 marsit 2010 në qendër të kryeqytetit, dy vjet më parë është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për "vjedhje" të mbetur në tentativë. Ky fakt konfirmohet nga vendimi i togave të zeza të kryesuar nga gjyqtari i vetëm, Gjin Gjoni, e që mban datën 5 maj 2008.


Sipas këtij vendimi, i pandehuri Leka është hetuar nga prokuroria dhe gjykuar më pas nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet me masën e sigurisë "arrest me burg" për tentim vjedhjen e makinës së shokut të tij.


Nga shqyrtimi i dosjes penale në aplikim të gjykimit të shkurtuar, i pandehuri 25 vjeçar Leka është dënuar përfundimisht me 5 muaj heqje lirie, duke u liruar në mes të korrikut 2008.


Kështu që sipas këtij vendimi, 25- vjeçari Leka që terrorizoi banorët e kryeqytetit me pistoletë në dorë duke mbajtur peng studenten me inicialet L.H. për 30 minuta ka qenë i njohur për efektivët e policisë si kontingjent krimi. Sipas vendimit penal të gjykatës, gjatë fazës hetimore, prokurori Erion Pano, arriti të grumbullojë provat materiale të cilat u administruan në dosje.


Në bazë të tyre gjyqtari Gjin Gjoni e deklaroi fajtor Lekën dhe e dënoi me 7 muaj burg. Nga aplikimi i procedurës së shkurtuar, i pandehuri Leka përfitoi uljen e 1/3 e dënimit përfundimtar, duke u dënuar me 5 vite burg.


Dënimi


Sipas vendimit të 5 majit 2008 të firmosur nga gjyqtari Gjoni, i pandehuri Leka kishte konsumuar veprën penale të "vjedhjes" së mbetur në tentativë. Rreth orës 22:30 të 2 marsit të po atij vit Leka, pak kohë pas mbërritjes nga SHBA-ja, ka takuar shokun e tij me inicialet E.Qose. Ai parkonte makinën e tij të tipit "Benz" me targa "TR 0797 K". Në atë moment i është afruar i pandehuri Leka (që njiheshin edhe më parë), duke e pyetur nëse e shiste makinën.


Qose i përgjigjur pozitivisht, duke u shprehur se "po dua ta shes". Pas kësaj përgjigje, Romeo Leka ka kërkuar të provonte mjetin dhe të flisnin për çmimin. Në udhëtim e sipër shitësi Qosja dhe Leka kanë rënë dakord që makinën ta blinte 25- vjeçari kundrejt vlerës prej 17 mijë dollarë amerikanë.


Me që ranë dakord për çmimin i pandehuri Leka ka kërkuar nga pronari të ndërronin vendet, për ta provuar vetë mjetin. Pranë Gardës së Republikës shoferi Qosja kishte dalë nga vetura për të këmbyer vendin me të pandehurin.


Sapo kishte zbritur nga automjeti Qosja i pandehuri ka kaluar me shpejtësi tek vendi i shoferit dhe ka tentuar të ikte me shpejtësi. Pronari i makinës Qose i është vënë në ndjekje deri në momentin kur i pandehuri nga shpejtësia e ka përplasur makinën me një automjet tjetër të parkuar anash rrugës.


Qose është varur në xham për t'i hequr çelësin dhe për ta fikur makinën, por i pandehuri i ka dhënë makinës mbrapa duke përplasur edhe nga mbrapa me një makinë tjetër. Në këto kushte, sipas vendimit, pronari Qose ka filluar ta godasë me grusht të pandehurin Leka me qëllim që ky i fundit të ndalonte. Më pas policia ka ndaluar Lekën, ndërsa në fund të procesit ai u dënua me pesë muaj burg për këtë krim.


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda tashmë zyrtarisht ka ngritur katër akuza ndaj të arrestuarit Romeo Leka, akuza këto të cilat i ka pranuar edhe vetë 25- vjeçari. Atë të kryerjes së veprës penale të "rrëmbimit dhe mbajtjes peng të personit" të kryer më 19 mars të studentes me inicialet L.H.


Vepër kjo e kryer pas "vjedhjes me armë" të bankës brenda një hoteli të njohur që ndodhet buzë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" ku grabiti shumën prej 30 milionë lekë të vjetra. Pas kryerjes së vjedhjes i pandehuri në ikje e sipër mori peng vajzën me pistoletën bosh duke hedhur më pas në rrugë lekët e grabitura.


Me arrestimin e 25- vjeçarit policia kreu edhe grumbullimin e parave të vjedhura ku mungonin 1.2 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë gjatë vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, mbrojtësit ligjorë kërkuan nga Gjykata e Krimeve të Rënda kryerjen e akt-ekspertimit psikik, pasi pretendojnë se klienti i tyre Leka vuan nga probleme mendore.


Ndërkaq, para kryerjes së këtyre dy veprave penale brenda pak minutash, i pandehuri Leka ka pranuar se është autori edhe i "vjedhjes me armë" të mbetur në tentativë ndaj një filiali banke në lagjen "Ali Demi" si dhe "vjedhjen me armë" po të mbetur në tentativë ndaj taksistit që tentoi t'i grabiste makinën, por që e la të lirë pasi makina ishte me kamje manuale që 25- vjeçari nuk dinte të ngiste.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›