E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqaj: Qeveria gënjen për situatën ekonomike

TIRANË - Partia Socialiste akuzon qeverinë se po fsheh krizën ekonomike ashtu siç mban të fshehur dhe refuzon transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Në një konferencë për shtyp, deputeti socialist, Ilir Beqaj, vuri në dukje se qeveria ende nuk po arrin të rikuperojë 20 mijë vende pune që humbën gjatë vitit të kaluar. Sipas Beqajt, mazhoranca qeverisëse, pasi manipuloi votat e qytetarëve shqiptarë, tani po i lë ata në kushte të vështira ekonomike, duke mos u krijuar mundësi punësimi.


Duke iu referuar të dhënave për ekonominë që paraqiti pak ditë më parë ministri i Financave, Ridvan Bode, deputeti socialist u shpreh se po të dhënat qeveritare për ecurinë e zhvillimit të ekonomisë tregojnë të kundërtën. "Ka disa muaj që çfarë ndodh me ekonominë e vendit mbahet e fshehur ashtu si mbahet i fshehur në kutitë e Ruzhdijes vullneti i shqiptarëve.


Dhe mbahet e fshehur sepse, pasi i vodhi votat, qeveria e Sali Berishës po vjedh edhe në xhepat e shqiptarëve, pa dalluar askënd; sipërmarrës të mëdhenj, të mesëm apo biznes të vogël, fermer apo shitës ambulant, punëtorë apo të papunë, invalid apo pensionist. Ministri i Financave mund t'i ketë të dhënat për ekonominë shqiptare në mendjen e tij apo në celularin e tij, por ja çfarë ka edhe sot në sitet zyrtare të institucioneve qeveritare të Sali Berishës", - tha dje Beqja.


Duke u bazuar në këto të dhëna, Beqja nënvizoi se në Shqipëri nuk po investon njeri dhe për më tepër, sipas tij, shumica në pushtet me politikat e saj nuk po u krijon shqiptarëve mundësi punësimi.


"Pra, në vendin tonë, nuk po investon njeri. 20 mijë vende pune që u humbën në vitin 2009 nuk dihet se si do të rikuperohen. Qeveria, pa dyshim që i di këto të dhëna, por i fsheh qëllimisht. Kurajën për t'i fshehur e gjen tek fakti se është e ngritur mbi vota të vjedhura dhe të trafikuara. Motivet për t'i fshehur i burojnë nga qëllimi i vetëm për të vazhduar të vjedhë shqiptarët.


Është ky pushtet, i ngritur mbi një sistem kryekëput të manipuluar, që sot po i lë shqiptarët pa punë, me më pak të ardhura dhe me më pak shpresë", - u shpreh ai. Beqja evidentoi se nga të dhënat e vitit 2009 del se importi i makinerive dhe pajisjeve ka rënë me 25 për qind, ndërsa importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve ka rënë me 20 për qind.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›