Papa bekon helenët: Greqia është si Çelsi!
Mbrojtësi grek Sokratis Papastathopulos, që thirret nga shokët e skuadrës Papa, beson te kombëtarja e tij: Tani mund të fitojmë ndaj kujtdo
Thirret Papa nga të gjithë. Është i fortë dhe i aftë të shikojë përtej. Ai që thirret Papa nga të gjithë është Sokratis Papastathopulos, qendërmbrojtës, një mbiemër shumë i ngatërruar për ata që e shkruajnë dhe dëshmitar i një ëndrre që vetëm futbolli mund ta bëjë konkrete.
9 qershorin e kaluar ka mbushur 24 vjeç: një ditë shumë e keqe, sepse më 8 (ndeshja hapëse) ka qenë viktimë e një kartoni të kuq absurd kundër Polonisë. Një ndeshje pushim dhe më pas rikthimi: me betejën e fituar kundër Rusisë.
Po, – ka thënë, – kemi qenë si Çelsi që ka fituar Ligën e Kampionëve kundër ekipit favorit. Një arritje e madhe.Papa tani luan me Verder Bremen pas tre vitesh të kaluar në Itali midis Xhenoas dhe Milanit.
Keni siguruar kualifikimin në një fundjavë historike për Greqinë: midis futbollit dhe zgjedhjeve diçka po ndryshon.
Populli ynë kishte nevojë për një arritje të tillë: nuk ka qenë e lehtë, Rusia ka pasur në dispozicion dy rezultate nga tre. Është një skuadër sigurisht e fortë dhe e mbushur me talente. Por ne kemi luajtur si gjithmonë: kur situata është e vështirë, luftojmë në maksimum.
Trajneri juaj Santos ka thënë: Në ndeshjet e vërteta, nuk zhgënjejmë asnjëherë.
Nuk është trajneri ynë rastësisht: ka plotësisht të drejtë, në momentet e vështira ndihemi të pamposhtur. Ajo kundër Rusisë për ne ka qenë si një finale që duhej fituar.
Deri diku keni sjellë në mendje Çelsin e Championsit të fundit.
(qesh) Po, po: pjesërisht është e vërtetë. Nga njëra anë duhet thënë se raste kemi pasur, më pas nga ana tjetër është e vërtetë se gjejmë ekuilibrin e duhur duke u mbrojtur për të shfrytëzuar më pas rastet që na jepen. Forca jonë është kjo: mbyllemi mirë dhe në sulm dimë të godasim në momentin e duhur.
Rusët të pasur dhe të talentuar, ju?
Një skuadër e mirë që ka merituar kalimin e turnit. Ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme për të gjithë ne, duhej ti jepnim edhe një sinjal vendit tonë. Nëse kemi qenë nervoz këto ditë? Jo, nervozë jo: të përqendruar dhe me dëshirën për të bërë diçka të madhe.
Të dielën zgjedhjet, të premten çerekfinalet.
Që nga ky moment dhe në vazhdim skuadrat janë të gjitha të forta, këdo që do të kemi përballë nuk do të jetë një problem: mund të fitojmë kundër kujtdo, unë jam një nga ata që mendojnë se brenda 90 minutave gjithçka mund të ndodhë.
Tani luani me Verder Bremen. Në Itali nuk do të ktheheni?
Jam shitur te gjermanët. Pse jam larguar nga Italia? Më vjen keq, por doja të luaja me vazhdimësi. Megjithatë mund të them se kam kaluar tre vite shumë të bukur.
Çfarë ju ka mësuar Italia?
Për sa i takon futbollit, taktikën. Në këtë aspekt janë numri një. Me Gasperinin dhe Alegrin kam fituar më shumë siguri.
Milani ka mbajtur Tiago Silvën.
E kam parë. Dhe ka qenë vendimi i duhur sepse mbrojtësi më i fortë në botë nuk shitet kurrë.
