Timoshuk: Greqia na shërben si frymëzim
Ukraina duhet të fitojë ndaj Anglisë për tu kualifikuar. Mesfushori merr zemër nga suksesi i Greqisë ndaj Rusisë në Grupin A
Në Euro 2012 nuk kanë munguar befasitë dhe tashmë është Anatoli Timoshuk që premton një tjetër mbrëmje magjike kur Ukraina të përballet sonte me Anglinë në Donjeck, ku do të luhet ndeshja e fundit në Grupin D për këto skuadra, të cilat kërkojnë fitoren për tu kualifikuar. Mesfushori i Bajernit ka thënë se skuadra vendase ka shanset e veta për të ecur më tej, nëse luajnë ashtu siç luajti Greqia kundër Rusisë.
Në përgjithësi, si mendoni se ka shkuar ky turne në Ukrainë?
Do të thosha se përshtypjet e para janë të mira. Unë kam folur me shokët e mi të skuadrës së Bajernit, si Riberi dhe Roben, të cilët kanë përshtypje mjaft të mira nga vendi ynë. Ky turne ka dhuruar një standard të lartë në çdo drejtim dhe duke gjykuar nga atmosfera, tifozët mendoj se po kënaqen.
U bënë pesë vite që kur Ukrainës iu dha e drejta për të organizuar këtë turne së bashku me Poloninë. Si u ndjetë kur u futët për herë të parë në fushë kundër Suedisë në Kiev?
Ishte shumë bukur të shihje atë atmosferë aq të ngrohtë. E ndjenim që tifozët ishin me ne. Duke e ditur se janë me miliona njerëz që të ndjekin, kjo na dha një shtysë të fortë. Ne tentuam të luanim futboll të bukur.
Ju shkuat nga euforia e fitores kundër Suedisë në zhgënjimin kundër Francës. A ishte skuadra juaj fajtore për besim të tepruar te vetja?
Pati momente euforie sepse për ne është shumë emocionuese të luajmë për herë të parë Europianin në vendin tonë. Ne mundëm Suedinë, një skuadër e fortë. Më pas u mundëm nga Franca, një superekip. Nuk është bukur kur humb, por kjo humbje nuk ka pasur efekte negative tek ne.
Ka mundësi që ndonjë lojtar ka pasur besim të tepruar te vetja, por tani gjërat janë kthyer aty ku duhet të jenë. Ne do të bëjmë atë që kemi mundësi për të marrë një fitore kundër Anglisë. Mund të marrim zemër nga loja e Greqisë kundër Rusisë.
Grekët arritën diçka që dukej e pamundur. Edhe ne duhet të tregojmë zemër dhe agresivitet në fushë nëse duam të arrijmë të pamundurën.
Çfarë ju tha Oleg Bllohin pas ndeshjes kundër Francës?
Ne e analizuam ndeshjen së bashku. Në përfundim, nga aspekti teknik dhe taktik, nuk ishim shumë poshtë Francës. E vetmja diferencë ishte se Franca qe më e fortë në momente vendimtare. Ata përfituan nga gabimet tona.
A ju shqetëson fakti që do të luani kundër Anglisë në Donjeck, ku nuk keni fituar kurrë?
Nuk mendoj se lojtarët e vrasin mendjen për këtë gjë. Nëse shikon nga aspekti historik, ka gjithnjë një herë të parë dhe të fundit. Shpresoj të jetë hera e parë që fitojmë dhe le ta bëjmë këtë kundër Anglisë.
Si është atmosfera në kampin tuaj?
Ka shumë lojtarë të mërzitur për shkak se një fitore kundër Francës do të na kishte vënë në një pozitë shumë të mirë. Tani do të kualifikohemi vetëm nëse fitojmë ndeshjen e fundit. Jam i bindur se nëse jemi të përgatitur dhe luajmë me shpirtin e duhur dhe me përkushtim total, do të fitojmë.
Herën e fundit që Ukraina priti Anglinë, keni fituar në vitin 2009. A mund të ketë një impakt pozitiv fakti që shumë nga ata lojtarë që kanë luajtur atë ndeshje janë në fushë edhe sot?
Do të thosha se ne duhet të përsërisim atë ndeshje që bëmë para tre vitesh. Skuadra luajti shumë mirë atë ditë, secili dha maksimumin. Kjo ishte arsyeja përse fituam, edhe pse humbëm një penallti.
I tërë vendi do të jetë duke ndjekur ndeshjen. A mos ndikon ky presion te lojtarët më të rinj?
Është e mundshme, por mos harroni se shumë nga këta lojtarë të rinj kanë fituar shumë përvojë ndërkombëtare. Nuk mendoj se duhet të shqetësohemi për këtë gjë. Ne duhet të jemi shumë të fokusuar në një objektiv: të luajmë me përkushtim total për 90 minuta kundër Anglisë. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi.
