E Diel, 1 Nëntor 2026

Ora News kontrakton kompaninë më të madhe italiane të sondazheve të opinionit

“IPR Marketing” sondazh dhe exit poll për zgjedhjet në Shqipëri

Radio Televizioni Ora News futet në garë për të shpallur i pari rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ora News ka nënshkruar kontratën me kompaninë më të madhe italiane të sondazheve të opinionit “IPR Marketing”, për të publikuar katër sondazhe për zgjedhjet si dhe të realizojë një exit poll të IPR Marketing. Marrëveshja u nënshkrua dje paradite në ambientet e televizionit mes presidentit të Ora News, Ylli Ndroqi dhe drejtorit të përgjithshëm të kësaj kompanie, Antonio Noto. Drejtori i Përgjithshëm i Ora News, Alfred Peza në konferencën për shtyp që u mbajt me rastin e firmosjes së kontratës mes RTV Ora News dhe IPR Marketing për sondazhet për zgjedhjet deklaroi se kjo kontratë parashikon realizimin e sondazheve dhe exit-polleve. “Kontrata parashikon realizmin e katër sondazheve. Pas katër sondazheve , në 28 qershor në ditën e zgjedhjeve IPR Marketing dhe Ora News do të realizojnë exit poll-in”- tha Peza. Ndërkaq zoti Ndroqi, bëri me dije se për herë të parë ky televizion realizon një kontratë me një kompani shumë të rëndësishme në tregun evropian. 

“Duke marrë referenca prej shumë javësh, së bashku me drejtorin e televizionit kemi zgjedhur kompaninë lider në Evropë që do na japë sondazhet më korrekte të realizuar ndonjëherë”- theksoi ai.  Vetë Drejtori i përgjithshëm i “IPR Marketing”, Antionio Noto, gjatë fjalës së tij u shpreh se kjo kompani ka eksperienca dhe exit poll-e, por bashkëpunimi me Shqipërinë është një eksperiencë e re. “Shpresoj që me televizionin Ora News të krijojmë një bashkëpunim të mirë”, tha ai. Drejtori i IPR Marketing bëri me dije se në tre sondazhet parazgjedhore do shikohen tendencat zgjedhore për partitë kryesore. “Tendencat ndryshojnë nga muaji në muaj”, u shpreh Noto. 

Sipas tij, në exit poll-in që do të zhvillohen ditën e zgjedhjeve, do të jepet prirjet zgjedhore të shqiptarëve orë pas ore. Siç është rënë dakord, prestigjiozja IPR Marketing, do të kryejë 4 sondazhe dhe një exit poll. Në datat 15 prill, 15 maj, 15 qershor dhe 25 qershor, IPR Marketing dhe radio televizioni Ora News do të publikojnë rezultatet e sondazheve të kryera, kjo shoqëruar me transparencën maksimale për metodologjinë e përdorur. Për herë të parë realizohet shtrirja e sondazhit në të 12 qarqet e vendit, duke përfshirë të gjitha partitë politike dhe koalicionet në garë. Gjithashtu numri i personave të pyetur do të jetë më i madh se 1000, numër i përdorur nga kompani të tjera sondazhesh. Pas 4 sondazheve, ditën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme legjislative më 28 qershor, IPR Marketing dhe televizion Ora News do të realizojnë exit pollin. Menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit do të jepet dhe rezultati. IPR numëron mjaft suksese në exit polle. I fundit ka qenë për zgjedhjet e pjesshme në Sardenja të Italisë, ku marzhi i gabimit ishte vetëm 1 %. 

Bashkëpunimi me IPR Marketing, e bën radio televizionin Ora News të tretin në Shqipëri që pajton kompani të huaja, me eksperiencë në fushën e sondazheve; pas Zogby-t që bashkëpunon me Top Chanel dhe Gani Bobi me TV Klan. IPR Marketing është institut që operon në sektorin e sondazheve të opinionit, kërkimet në fushën e Politikës dhe strategjitë elektorale. Ky institut është themeluar në vitin 1993 nga drejtuesi aktual Antonio Noto. IPR Marketing është një kompani e besueshme; ajo bashkëpunon rregullisht me gazetat më të mëdha të Italisë, si La Repubblica, Il Sole 24 ore, Corriere della Sera dhe agjencinë Reuters. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›