Papa ka nëshkruar një notë dorëheqjeje, në rast se do të ketë probleme serioze shëndetësore

Papa Françesku ka zbuluar në një intervistë të botuar sot se menjëherë pasi u zgjodh pontifik në vitin 2013, nënshkroi një letër dorëheqjeje, në rast se problemet mjekësore e pengojnë atë të kryejë detyrat.
Duke folur për gazetën spanjolle ABC, Françesku tha se ia dha shënimin kardinalit Tarcisio Bertone, i cili, në atë kohë, ishte sekretar i Shtetit të Vatikanit.
Papa shtoi se supozon se prelati aktualisht në atë rol, numri 2 i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, tani duhet ta ketë udhëzimin me shkrim.
Françesku, i cili mbushi 86 vjeç të shtunën, iu nënshtrua një operacioni në vitin 2021, për të riparuar një ngushtim të zorrëve. Ai ka shqetësime edhe nga dhimbja e gjurit, ndaj prej muajsh përdor një karrige me rrota.
Kohët e fundit, ai ka përdorur më shumë një bastun në vend të karrocës, për të lëvizur në publik.
I pyetur se çfarë ndodh nëse problemet shëndetësore ose një aksident e lënë papritmas një papë të paaftë për të bërë punën e tij dhe nëse duhet të ketë një rregull për raste të tilla, Françesku u përgjigj: “Në praktikë tashmë ekziston një rregull”.
“Unë e kam nënshkruar tashmë heqjen dorë,”- zbuloi Françesku, duke vënë në dukje se ai e bëri këtë shumë herët në papat.
“Unë e firmosa atë dhe thashë: “Nëse do të bëhem i padobishëm për arsye mjekësore apo çfarëdo tjetër, këtu është dorëheqja ime. Ja ku e keni”,- tha ai, duke iu referuar kardinalit Bertone, i cili u largua nga posti i sekretarit të Shtetit në tetor 2013, në muajt e parë të papatit të Françeskut.
Papa ironizoi se tani që e ka zbuluar ekzistencën e shënimit të dorëheqjes së tij, “dikush do t’i afrohet Bertones duke i thënë: Më jep atë copë letër”.
Françesku tha se ishte i sigurt se Bertone do t’ia ketë përcjellur letrën sekretarit aktual të shtetit, Parolin.
Më parë, Françesku ka përshëndetur vendimin e paraardhësit të tij, Papa Benediktit XVI, për të dhënë dorëheqjen, sepse ai mendonte se për shkak të moshës së tij nuk do të ishte më në gjendje të kryente detyrat.
Benedikti, i cili jeton në një manastir në territorin e Vatikanit, ishte papa i parë që dha dorëheqjen në 600 vjet. Largimi i tij hapi rrugën për zgjedhjen e Françeskut si Papa i parë nga Amerika e Jugut.
Françesku në intervistë e hodhi poshtë problemet e tij të lëvizshmërisë, duke thënë: “Qeveriset me kokë, jo me gju”.
Ligji i kishës katolike kërkon që një dorëheqje papale “të manifestohet lirisht dhe siç duhet” – siç ishte rasti kur Benedikti tronditi botën kur njoftoi dorëheqjen e tij në një mbledhje prelatësh në Vatikan në shkurt 2013. Apnews
/rtsh.al/