Papa mban meshë në Bejrut, bën thirrje për ndalimin e dhunës

Papa Benedikti i 16-të ka mbajtur meshën në Bejrut në ditën e tij të tretë të udhëtimit në Liban, ku ka theksuar se Kisha ka si detyre të shërbejë, ndërsa për të krishterët është një detyrë që të jenë shërbëtorë nëpërmjet të Jezu Krishtit.
"Të shërbesh drejtësinë dhe paqen, në një botë ku dhuna nuk ka të ndalur duke shkaktuar shkatërrim dhe viktima, tashmë është mëse urgjente që të impenjohemi për ndërtimin e një shoqërie vëllazërore" tha Benedikti i 16-të
Papa është pritur nga një turmë e madhe njerëzish që kishin mbajtur radhën gjatë gjithë natës, në të njëjtin vend ku edhe Papa Xhon Paul i dyti kishte mbajtur meshën e tij 15 vjet më parë.
Benedikti i 16-të është lutur për paqen në Siri dhe në të gjithë Lindjen e Mesme. "I bëj apel komunitetit ndërkombëtar, dhe vendeve arabe që të propozojnë zgjidhje të praktikueshme dhe që respektojnë dinjitetin e cdo njeriu dhe fenë e tij".
Në këtë mënyrë Papa përsëriti apelin e tij për paqe në Lindjen e Mesme menjëherë pas trazirave anti-perëndimore në shumë vende muslimane.