E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa ne Spanje mesha e madhe per diten e rinise

Papa Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë celebroi meshën përmbyllesë të Ditës Botërore të Rinisë në Spanjë. Rreth dy milionë njerëz dëgjuan fjalën e Papës në një bazë ajrore në afërsi të Madridit. Ndërsa të shtunën në mbrëmje, pas një dite përcëlluese fjalimi i Papës u ndërpre nga një stuhi e fortë që madje, i rrëzoi edhe kësulën nga koka.

Duke u mbrojtur me një çadër, Papa 84-vjeçar u tha njerëzve të kenë një besim më të fortë se shiu.  Dita Botërore e Rinisë është një festë katolike e cila ka mbledhur në Spanjë mijëra pelegrinë nga e gjithë bota. Shumë të rinj kanë qëndruar përgjatë gjithë natës në bazën ajrore ku do të mbahej mesha. Vala e të nxehtit ka shkaktuar edhe problem me shëndetin e tyre, pasi spërkatja me ujë nuk ka mundur të zbusë temperaturat e larta dhe shumë pelegrinë u trajtuan nga mjekët.

Vizita e Papës në Spanjë shënoi edhe disa protesta për shkak të kostos së saj financiare në një kohë që vendi përballet me papunësi dhe shkurtime të shpenzimeve. Por organizatorët thonë se shumica e kostos së kësaj vizite do të mbulohet nga vetë pelegrinët. Në katër ditët e tij spanjolle, Papa celebroi një meshë me priftërinjtë e rinj, mori pjesë në një procession të rrugës së kryqit. Ai takoi gjithashtu edhe mbretin Huan Karlos e princeshën Sofia si dhe kryeministrin Hose Luis Zapatero.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›