SHBA: Shqipëria, përpjekje serioze në luftën kundër terrorizmit - Ligji Antimafia, sukses i veçantë

Raporti vjetor i Departamentit amerikan të shtetit vlerëson qeverinë “Berisha” për ashpërsimin e luftës kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin e ngushtë me Uashingtonin. Në raport theksohet se Shqipëria ndryshoi dispozitat e Kodit Penal kundër terrorizmit, ka mbajtur të ngrira pasuritë e dy individëve e 13 fondacioneve e kompanive të përfshira në listën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si financuese të terrorizmit, si dhe ka krijuar një ligj për konfiskimin e pasurive të siguruara nëpërmjet veprimtarive kriminale
Qeveria e Shqipërisë është vlerësuar në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër Terrorizmit. Konkretisht, puna e qeverisë shqiptare ka marrë nota pozitive në përmirësimin e legjislacionit dhe forcimin e vazhdueshëm të sigurisë në pikat e kalimit kufitar. Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit vlerësohet pozitivisht miratimi i ligjit për konfiskimin e pasurive të vëna nga veprimtaria kriminale, si dhe sekuestrimi i aseteve të cilat financohen nga terrorizmi. Vlerësim kanë marrë edhe masat e mara nga qeveria kundër pastrimit të parave, ndërsa janë përmendur edhe disa nga rastet e suksesshme të punës së sistemit të mbrojtjes dhe drejtësisë në Shqipëri.
Mes tyre, arrestimi dhe dënimi i Artan Kristos dhe Hamzeh Abu Rayyan, të dy persona që kanë patur lidhje të ngushta me organizata terroriste. Hamzeh Abu Rajan është shpallur fajtor nga Shkalla e Parë e Gjykatës për Krime të Rënda, me akuzën e fshehjes së fondeve që do të përdoreshin për të financuar terrorizmin. Vendimi u apelua në Mars të 2010-ës. Ekzekutimi i dënimit ka mbetur pezull në pritje të një seance tjetër gjyqësore. Në fund të vitit fiskal, 2010, qeveria administroi asetet e sekuestruara në vlerën e thuajse 7 milionë dollarëve dhe atyre të konfiskuara në vlerën 851 mijë dollarëve. Këto veprime parashikohen në ligjin antimafia të miratuar pak kohë më parë nga parlamenti. Ligji parashikon konfiskim të pasurisë bazuar në indicie për: a) pjesëmarrje në organizata kriminale ose në grupe te strukturuara kriminale, b) pjesëmarrje në organizata terroriste ose në bana të armatosura, c) kryerjen e veprave të tjera për qëllime terroriste, si dhe kryerjen e krimeve për qëllime të fitimit të pasurive të paligjshme, të gjitha sa më sipër të parashikuara në nene të mirëpërcaktuara nga Kodi Penal. Ndërsa më tej, raporti mbi terrorizmin i DASH-it vlerëson me nota të larta punën e Policisë Kufitare të Shqipërisë (ABP) dhe përmirësimin e vazhdueshëm të forcimit të sigurisë në pikat kufitare duke theksuar rastet e arrestimeve dhe konfiskimit të narkotikëve. “Nën rezolutën 12/76, Shqipëria ka ngrirë pasuritë e dy individëve dhe 13 fondacioneve apo kompanive të listuara në këtë rezolutë të Kombeve të Bashkuara”, shkruhet në raport. Më tej, theksohet se qeveria shqiptare ka arritur të ndjekë me përpikmëri rekomandimet e bëra më parë për ndryshimet legjislative në luftën kundër terrorizmit. Dokumenti flet edhe për ligjin që i është paraqitur Parlamentit, ende i pa-miratuar, i cili i referohet konfiskimit civil të aseteve të arritura përmes aktiviteteve kriminale. Projekt/ligji përmban nene që i referohen akteve për qëllime terrorizmi, financimin e tij dhe pastrimin e parave. Ndërkohë vlerësohet se qeveria shqiptare vazhdon të përmirësojë Regjimin kundër-pastrimit të parave dhe financimit të anti-terrorizmit. Në Prillin e 2011 rezultoi- shkruan raportoi- se Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në këtë drejtim, por duhen hapa të mëtejshëm, që ligjet e vendit të përmbushin standardet ndërkombëtare. Në mbyllje të raportit, vlerësohet bashkëpunimi i Shqipërisë me organizatat rajonale dhe multilaterale të cilat janë të fokusuara në luftën kundër terrorizmit.