E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mamuzet e fantazisë

Sa e sa herë është thënë që, ashtu si drita nuk bëhet e dukshme nëse nuk refl ektohet nga një trup, po kështu përmes lavdisë shpirti superior bëhet i ndërgjegjshëm për vetveten. Por, gjithashtu, sa e sa herë është thënë që kjo nuk është shenje pagabueshmërie. Sepse, kurdoherë ekziston edhe lavdia pa merita dhe merita pa lavdi. Kuptimi thellësisht i këtij realiteti e detyroi Lesingun të shkruajë: "Disa janë të famshëm, të tjerë meritojnë të jenë". Ajo çka individi është në të vërtet, pavarësisht nga lloji apo forma, mbi të gjitha varet prej asaj që bën ai vet. Por, nëse tek ai nuk ka asgjë të denjë, çdo ndihmë që i vjen nga jashtë, do të vlente fare pak, aq sa të mos mbulonte dot edhe shpenzimet për të siguruar këtë ndihmë.
Kështu, edhe në një vend të vogël dhe me popullsi jo shumë të madhe, siç është Shqipëria, plot njerëz që nuk u vlen lëkura për asgjë kapardisen midis atyre që s'i njohin për ndonjë vlerë, madje fodullepsen edhe midis atyre që i njohin fare mirë për asnjë vlerë. Të tjerë, që nuk u mungon as guximi dhe as shkathtësia të shfaqen nëpër ekrane televizive, përgjatë ndonjë mbrëmjeje edhe në tre a katër ekrane të tilla, llomotitin fjalë pa fund dhe replikojnë me të ftuarit e tjerë, pa e vrarë fare mendjen, se publiku që duhet t'i drejtohen nuk merr vesh përse lëshojnë si tullumbacet aq shumë fjalë në erë. Sikurse ka edhe nga ata që prezantohen si pedagogë dhe nëpër auditorë e detyrojnë edhe studentin më të rregullt dhe më të kujdesshëm që herë pas here jo vetëm t'i hedhë sytë orës së dorës, por edhe ta vërë në vesh atë me përshtypjen se mos i ka ngelur.
Ka kategori të ndryshme bashkëqytetarësh, për të cilët nuk është shumë e vështirë të kuptosh përse shfrenojnë pa masë edhe fantazinë për t'iu sulur me vrik lavdisë, përse bëjnë aq shumë dallavere me shpenzime e me shpresën që atë ta arrijnë një ditë. Sigurisht, për t'u dukur mbi të tjerët. Por, kjo nuk mund t'u mjaftojë, nëse nuk shoqërohet apo pasohet me arritjen e një objektivi të profilit material, me përfitimin e ndonjë page më të mirë, apo të ardhurave të tjera me korruptim. Aq shumë në modë ka hyrë kjo mënyrë sjellje midis ca të ashtuquajturve intelektualë, aq sa ndokush që do t'i vështronte shtrembër për veprimet dhe dërdëllitjet e tyre, nga pas do të merrte vlerësime injoruese dhe poshtëruese.
Megjithatë, këto shfaqje nuk mund të jenë të shkëputura dhe prandaj nuk duken të çuditshme, përderisa show-t me deklarata dhe shifra janë bërë të zakonshme nga vet qeveritarët tanë, të cilët e ngasin, e shtyjnë kalin e fantazisë me shpejtësi gjithnjë e më të madhe në territoret e përrallave, duke përdorur për këtë qëllim mamuze tepër komode dhe të shtrenjta. Për shembull, nga fundi i javës së kaluar disa media, si botime të Partisë kryesore të koalicionit në pushtet., dhe ca të tjera shumë të afërta me atë propaganduan me bujë të madhe të dhënat që paraqiste gazeta amerikane 'Wall Street Journal', nën një titull goxha interesant: "Shikojeni Shqipërinë". Ç'të shikoje? Nga 2007 deri më 2010 investimet në vendin tonë na paskan pësuar rritjen më të madhe në botë - 300 për qind. Gjithashtu, rritjen më të madhe në botë na paska pasur edhe Turizmi - 500 për qind që nga viti 2007. Jo vetëm kaq, Shqipëria na qenkërka nisur drejt rrugës për t'u bërë shteti i parë në botë që do të prodhojë 100 për qind të rrymës nga energjia e rinovueshme dhe i paska mundësitë për të ndërtuar rreth 2000 hidrocentrale.
Këto shifra, të shprehura në një mënyrë ose në një tjetër, shqiptarët i kanë dëgjuar edhe më parë nga goja e kryeministrit të tyre që, mbështetur në këto të dhëna, të cilat ai ia ka dedikuar miratimit nga qeveria e tij të një pakete të dështuar fiskale në vitin 2007, Shqipërinë e ka renditur nga viti 2007 dhe deri më sot me rritjen më të madhe ekonomike në Europë. Për hir të së vërtetës, ai ende nuk i ka ballafaquar këto të dhëna me ato të zhvillimeve në Kinë, se nuk dihet ç'lartësi do të kapnim! Sidoqoftë, ajo që përbën një të vërtetë që s'e luajnë as topat e ndeshjeve fantaziste të Berishës ka të bëjë me reagimin e flashkët të shqiptarëve e askush prej tyre nuk ka shfaqur ndonjë shenjë optimizmi dhe duartrokitjet i kanë kursyer madje edhe ata pak njerëz që mbledhin nëpër inaugurimet e të disatave herë që bën Berisha në të njëjtët objekte.
Të ndodhur përballë këtij reagimi jo entuziast, me qenë se mediat vendase ku mbledhjet e qeverisë dhe deklaratat euforike të kryeministrit zënë hapësira të pamata oraresh, qeveria ka zgjedhur së fundmi adresat e mediave të huaja, të cilave në këmbim të cenimit prej tyre të pasqyrimit të realitetit mbase do t'u hynin në punë ca tarifa të kripura. Të kripura aq sa t'i kallin krupën edhe më tepër opinionit lokal, që e përjeton mjerueshëm atë në vendin e tyre. Mirëpo, kur gjatë apo pas këtyre publiciteteve të paskrupullta viziton Shqipërinë ndonjë grup të huajsh, si ai i disa të rinjve neozelandezë, që përshtypjet e tyre i shprehin jo vetëm në rreshtat e raporteve përkatëse, por edhe në Internet, për shembull, "Të bashkëjetosh me mbeturinat", Berisha mbledh qeverinë dhe nga tryeza ovale e saj i tërheq vëmendjen bashkëqytetarëve të vet, për ta luftuar pa mëshirë këtë ves. Kaq duhet dhe menjëherë nisen përsëri deklaratat e tij për "Mis Albanian" në Turizëm, si edhe tarifa të tjera më të kripura se uji i Adriatikut e Jonit në drejtim të, bie fjala, 'Eastern Europe Travel', e cila nga publikimet e faqeve zyrtare të saj konstatokërka një bum turistësh në Shqipëri, duke e rekomanduar këtë ndër 10 vendet e para që duhen vizituar.
Fantazia si produkt ëndrrash apo idesh, edhe kur përpunimi i saj kërkon shpenzim kohe dhe kontosh bankare, ndonjëherë i paraprin në të ardhmen zhvillimeve materiale. Mirëpo, çka po e shpie kaq larg Shqipërinë, prej kohësh nuk i afrohet asnjë hap, qoftë edhe me parashikimet e saj për të ardhmen. Disa vite më parë, në 'Gazeta Shqiptare' kisha vënë si titull të një artikullit tim pyetjen: "Kaq i vockël ky planet?", duke cituar deklaratat e çuditshme të këtij kryeministri. Tani, kjo pyetje bëhet edhe më e shpeshtë, por edhe më tronditëse, përderisa është verifikuar plotësisht që fantazia për arritjet e Shqipërisë është pjellë e hipokrizisë dhe përdoret si formë e gënjeshtrës, madje edhe e talljes. E talljes me popullin, i cili ka mësuar, për shembull, se edhe ata mijëra kosovarë që kalojnë tranzit në vendin tonë, për t'u hedhur në Perëndim apo në Ulqin të Malit të Zi ku do të kalojnë pushimet e kësaj vere, regjistrohen si turistë në Shqipëri, se edhe ata pak turistë të huaj që shkelën në Ksamil e braktisën menjëherë atë, ku rryma elektrike ishte aq e dobët sa të mos u lejonte së paku të bënin një dush apo të lanin ca rroba të trupit, se plazhit të madh të Durrësit dhe atij të Golemit iu larguan edhe ata që i frekuentonin prej vitesh ato se disa shtetas të tjerë nga Europa Qendrore, që vijnë këtu të ngjiten maleve të Alpeve, pothuajse në çdo rast përfundojnë në komisariate policie për të depozituar denoncimet e tyre...
Nejse, gënjeshtrat e kësaj qeverie dhe sidomos të Kreut të saj nuk mund t'i kenë shumë të gjata, siç pretendon ai, shtegtimet e fantazisë së vet. Nuk mund t'i ketë të tilla përderisa, ndonëse ka disa muaj që ka inauguruar fillimin e punimeve për hapjen e tunelit të rrugës Tiranë - Elbasan, Banka Arabe e Zhvillimit ende nuk ka lëvruar asgjë nga shuma e parave që nevojitej për 60 për qind të shpenzimeve të kësaj vepre. Ndërkohë që, masa e përgjithshme e borxhit të jashtëm të Shqipërisë jo vetëm që nuk është ulur as 1 për qind gjatë këtyre viteve (2007 - 2011), që na e paskërkan bërë atë edhe shembull për vendet e Bashkimit Europian, por rrezikohet edhe shlyerja e kamatave që rrjedhin nga mospagimi në kohë i tërë kësteve të këtyre borxheve. Në kushte të tilla me tregues shumë të ultë besueshmërie, kryeministrit tonë, që ia ka huazuar Berluskonit epitetin 'kavalier' do t'i duhet të bredhë shumë për të kërkuar e lypyr mjete financiare të tjera. Por, sikurse shkruante tragjediani dhe komediani i madh i të gjitha kohërave, Shekspiri: "Lypësi e nget kalin me galop, derisa fare e ngordh" (Enriku VI, pjesa e tretë, akti i parë).

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›