Emergjencat; Basha u kërkon prefektëve marrjen e masave për përballimin e dimrit
Me afrimin e dimrit dhe vështirësive që moti i keq krijon në zonat e thella të vendit, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u ka kërkuar prefektëve të qarqeve që të nisin përgatitjen dhe marrjen e masave për t’i bërë ballë vështirësive të mundshme. Në një takim të zhvilluar ditën e djeshme, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u komunikoi prefektëve dhe nëpërmjet tyre të gjithë drejtuesve vendorë masat që duhet të marrin për parandalimin dhe përballimin e emergjencave, që mund të krijohen gjatë stinës së dimrit.
“Në javët në vijim secili prej prefektëve, veçanërisht ata të qarqeve më në rrezik, duhet të inventarizojnë dhe njohin situatën për çdo aspekt. Të sigurohet gatishmëria e strukturave lokale për të përballuar hapjen e arterieve kryesore rrugore të qarkut. Çdo zonë dhe veçanërisht zonat e thella të kenë stoqe të mjaftueshme medikamentesh bazë për popullsinë”, - u shpreh Basha. Numri një i Ministrisë së Brendshme u kërkoi prefektëve që të kryhen kontrollet e nevojshme, të hartohen planet operacionale në raste emergjencash. “Të sensibilizohen drejtuesit lokalë dhe nëpërmjet tyre popullsia për përgatitjet e duhura. Të kontrollohet gjendja dhe gatishmëria e hidroforëve, rezervuarëve, digave në çdo cep të territorit për të cilin jeni përgjegjës. Të merren masat për furnizimin me energji të vazhdueshme të të gjitha objekteve me rëndësi të veçantë në raste emergjencash”, - tha Basha, duke shtuar se “ju duhet të keni plane operacionale plotësisht të zbatueshme në rast të rëndimit të situatës përtej pritshmërisë së zakonshme”. Gjithashtu, Basha u siguroi prefektëve që do të kenë mbështetjen e plotë të të gjithë strukturave përgjegjëse dhe ato mbështetëse.