E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare/ Në Shqipëri deri më tani 16 raste të konfirmuara më A H1N1

Pritet përgjigja e analizave edhe për 5 raste të dyshuara

Numri i përgjithshëm i rasteve me virusin i gripit A (H1N1) në vendin tonë është 16, ndërsa nuk janë konfirmuar raste të reja prej raportimit të ditës së hënë, bëhet e ditur nga buletini nr. 8 i Institutit të Shëndetit Publik, i bërë publik sot. Sipas ISHP-së, aktualisht janë 5 raste të dyshuara, që janë dërguar për t’u analizuar në Laboratorin e Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht (Rumani). Nga këto, 2 raste të dyshuara janë raportuar nga Spitali Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, 2 në Spitalin Pediatrik në QSUT dhe 1 në Spitalin Rajonal të Durrësit. Ndërkohë, bazuar në të dhënat e buletinit nr. 8, vihet re se ka 2 raste të dyshuara me A(H1N1) të grumoshës pediatrike 5-14 vjeç. ISHP ka analizuar deri tani 440 monstra të marra në të gjithë vendin. Numri më i madh i monstrave është marrë në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, 223 të tilla, 59 monstra janë marrë në Spitalin Pediatrik në QSUT, 34 nga Poliklinikat në Tiranë, etj. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25 - 44 vjeç. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit, analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Si pasojë e rikonstruksionit të laboratorit të virologjisë në vendin tonë, konfirmimi për llojin e virusit, në lidhje me origjinën nga derri dhe për nëntipin, kryhet pranë Laboratorit të Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht, ku dërgohen mostrat e mundshme, por edhe të dyshuara.

Historia e 16 rasteve

Për 16 rastet e konfirmuara, sipas buletinit të ISHP-së, rezulton se 4 prej tyre janë të grup moshave 15-24 vjeç, 10 të tjerë 25-44 vjeç dhe vetëm 2 raste janë të grupmoshës 45-59 vjeç. Për 16 rastet e konfirmuara (10 meshkuj dhe 6 femra), 3 prej tyre janë marinarë të huaj të moshës 30, 31 dhe 41 vjeç (Spitali Rajonal - Durrës), të cilët tashmë janë larguar nga vendi ynë. Gjashtë raste janë të lidhura me udhëtimin jashtë vendit, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa të dhënat tregojnë se për 7 raste të tjera nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit. Sipas buletinit nr. 8 të ISHP-së, 13 prej këtyre rasteve janë paraqitur në spitale, 8 prej tyre në Departamentin e Sëmundjeve Infektive në QSUT. Personat e prekur nga virusi janë më së shumti nga Tirana dhe vetëm 1 rast nga Lushnja dhe 1 nga Saranda. Ndërsa, rasti i parë që rezultoi i prekur me virusin e gripit A (H1N1), ishte një student 20 vjeçar nga Gjirokastra. Në 4 raste është përdorur medikamenti Tamiflu, gjë që ka përmirësuar shenjat e sëmundjes edhe kur është përdorur menjëherë në diten e dytë, apo të tretë të fillimit të ketyre shenjave. Tamiflu është përdorur në ato rate kur ka patur kompromentim të sistemit respirator si trakebronkit, bronkiti difuz bilateral dhe bronkopneumoni intersticiale. Dy raste, që kanë patur si sëmundje shoqëruese diabetin, kanë paraqitur forma të rënda të sëmundjes si bronkopneumoni intersticiale dhe insuficience respiratore. Në një rast me bronkopneumoni intersticiale, Tamiflu është përdorur për 7 ditë, duke sjellë përmirësim të dukshëm të shenjave klinike të sëmundjes. Ndërsa, në 2 raste të tjera Tamiflu është përdorur për 5 ditë. Sipas buletinit nr. 8 të ISHP-së, antibiotikoterapia është përdorur në 12 raste, kryesisht me ato me kompromentim të sistemit respirator, si edhe në disa raste me rinofaringit. ISHP sqaron se raste të konfirmuara janë të gjitha rastet, të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik A (H1N1) në Laboratorin e Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht, Rumani. Raste të mundshme janë të gjitha rastet, që kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit A në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP-së,Tiranë. Ndërsa, raste të dyshimta janë të gjitha rastet, që plotësojnë përkufizimin e rastit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›