E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu: Greqia ka nevojë për ndryshime rrënjësore

ATHINË- Reforma arsimore, rishikimi i sistemit tatimor dhe promovimi i perspektivës së zhvillimit përmes shfrytëzimit të pasurive publike, janë tri përparësitë që kryeministri grek, Jorgo Papandreu ka përcaktuar për 12 muajt e ardhshëm.

Në një intervistë për rrjetin ''Bloomberg News'', Papandreu theksoi se vendit i nevojiten ndryshime radikale, me qëllim që ekonomia të bëhet më e qëndrueshme, çka do të sjellë dhe stabilitetin.

Në përgjigje të kërkesës së liderit të opozitës, Antonis Samaras për uljen e tatim taksave, kryeministri grek tha se "problemi real në Greqi nuk është reduktimi i taksave, por garantimi se nuk do të kemi evazion fiskal".

Lidhur me tërheqjen e investimeve të huaja në Greqi, kryeministri Papandreu tha se aktualisht ka interesim të madh, sidomos për energjinë e gjelbër dhe atë të pastër.

"Me të vërtetë besoj te Greqia dhe dua të shoh se i kemi çliruar gjithë kapacitetet që disponon vendi", tha Papandreu.
(m.a/ana/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›