Papandreu: Vazhdimi i krizës pengon integrimin
“Vazhdimi i krizës pengon integrimin”. Me këtë deklarim, Presidenti i Internacionales Socialiste dhe njëkohësisht Kryeministër i Greqisë, ka përcjellë shqetësimin për situatën në Shqipëri, gjatë një takimi të mbajtur dje në Nju Jork me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas njoftimeve zyrtare të selisë rozë, biseda mes dy liderëve të majtë është përqendruar në situatën në Shqipëri, e cila që prej një viti është peng i një krize politike që ka të bëjë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Apeli i ardhur nga “Pallati i Qelqtë” në SHBA, i bën thirrje klasës politike shqiptare që të marrë përgjegjësitë e krizës politike, në funksion të një zgjidhjeje e cila duhet të përfaqësojë kompromisin e munguar deri më tani. Ky është një nga kontaktet më të rëndësishme politike të Edi Ramës për sa i përket trajtimit të krizës politike, po të mbahet parasysh se Papandreu mban aktualisht edhe detyrën e Kryeministrit të Greqisë. Ai paralelizon zhvillimet e fundit politike, të cilat po e fusin krizën shqiptare në një sfond europian, i cili në vetvete shihet si shpresë për zgjidhjen e saj. Me rëndësi në takim është edhe natyra e deklarimeve të Papandreut, i cili po të vlerësohet nga qëndrimi i përcjellë zyrtarisht nga zyra e Shtypit e Partisë Socialiste, duket se respekton angazhimin institucional të Parlamentit Europian. “Kriza politike duhet të përfundojë dhe për të duhet gjetur një zgjidhje e shpejtë”, citohet Kryeministri grek në takimin e Nju Jorkut. Përtej këtij qëndrimi, ende asgjë nuk mund të kuptohet për një angazhim specifik të kreut të Internacionales Socialiste në kuadër të krizës politike në Shqipëri, që gjithsesi përballë sfidave që vuan kontinenti, ka një status minor. Në finale takimi që Papandreu i ka rezervuar Ramës është një mundësi e re për ekipin socialist në krijimin audiencës ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën, por të mbahet parasysh se përpjekjet lobuese të selisë rozë nuk lanë jashtë vëmendjes edhe figura të njohura të së majtës, si laburisti Tony Blair. Ajo çka ende ngre pikëpyetje është përfundimi i odisesë së pretendimeve socialiste që janë përballë argumenteve juridike të shumicës së djathtë, gjithashtu e mbështetur gjerësisht nga Partitë Popullore Europiane.
#