Vendimet e Bendos u rrëzuan në Gjykatën e Lartë
Gjykata e Lartë ka dy vendime të Agim Bendos, duke mos i kursyer kritikat në adresë të gjyqtarit të Shkallës së Parë.
Njëri nga vendimet e kolegjeve civile ka paditës shtetasin Gjergji Kotorri, i cili kishte paditur Drejtorinë e Doganave për dëmshpërblim page njëvjetore, për shkak të ndërprerjes së punës pa shkaqe të arsyeshme. Qytetari i larguar nga puna, pasi u ankua në Komisionin e Shërbimit Civil, depozitoi edhe një padi në Gjykatën e Tiranës për shkaktim dëmi. Sipas Gjykatës së Lartë gjyqtari Agim Bendo shpalli moskompetencën e gjykimit dhe dërgimin e çështjes në seksionin e mosmarrëveshjeve administrative. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i cili mori më pas për shqyrtim çështjen e refuzuar nga gjyqtari, shprehet konkretisht për këtë vendim të Agim Bendos.
“Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, numër 11145, datë 6.10.2008, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit dhe për rrjedhojë duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet pranë po asaj gjykate për vazhdimin e gjykimit. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë konstaton se argumentet e përdorura nga gjykata në vendimin e saj nuk qëndrojnë. Ky kolegj çmon gjithashtu se vendimi është marrë në kundërshtim me nenin 181 të Kodit të Procedurës Civile, sipas të cilit gjykata duhet të organizojë punën që gjykimi të përfundojë nga i njëjti trup gjykues”, thuhet në dokument.
Duke vijuar argumentimin e saj për këtë vendim të gjyqtarit Agim Bendo, Gjykata e Lartë vijon më tej duke u shprehur se ky vendim i tij cenon parimin për një proces të rregullt, efektiv, të shpejtë, brenda një afati të arsyeshëm, pasi bëhet shkak për zvarritje të procesit gjyqësor në dëm të interesave të palëve në proces, duke cenuar nene të Kodit të Procedurës Civile dhe duke shkelur të drejtat e njeriut.
Një tjetër vendim në fushën civile hedh dyshime të forta mbi vendimet e gjyqtarit Bendo. Kolegji ka qenë i kryesuar nga kryetari i Gjykatës së Lartë të asaj kohe, Thimio Kondi. Objekti i padisë civile ka qenë kthim shume, për 9 milionë e 500 mijë lekë të futura me interes te firma piramidale “Sude”. Pasi parashtron ecurinë e këtij procesi civil, Gjykata e Lartë thotë: “Nuk ka ndonjë shënim në dosje se si kjo çështje i ka kaluar për gjykim Agim Bendos, i cili ka bërë shënim ‘të verifikohet a ka proces penal tek F. Petku për këtë çështje’ dhe njoftohet sekretaria se çështja pezullohet”.
Po sipas Gjykatës së Lartë këtu nis edhe shkelja, pasi çështja nuk duhet të kishte vazhduar më tej.
“Gjyqtari Agim Bendo, me gjithë shënimin e mësipërm për pezullimin e çështjes civile, nuk e ka vënë në diskutim këtë problem dhe e ka kaluar çështjen për gjykim dhe ka vazhduar gjykimin deri në marrje vendimi”, thuhet në dokument. Gjykata e Lartë shprehet se te kjo çështje gjyqtari Agim Bendo nuk ka marrë në konsideratë disa korrigjime të bëra me stilolaps në objektin e padisë. Gjykata e Lartë shprehet se në këtë dosje civile janë bashkuar edhe fotokopje të pavërtetuara me origjinalin që favorizojnë në mënyrë të njëanshme njërën palë. Prandaj dhe gjykata shprehet konkretisht për këto shkelje. “Në dosjen gjyqësore duhet të përfshihen vetëm ato dokumente që kanë vlerën e provës, domethënë që janë pranuar proceduralisht të konsiderohen si të tilla, duke u marrë e administruar me formën e parashikuar nga ligji”, thuhet në dokument. Në përfundim Gjykata Supreme e rrëzoi edhe këtë vendim të zotit Bendo si të marrë në keqzbatim të ligjit dhe duke lejuar shkeljet e rënda të rregullave procedurale, si dhe shkelje të tjera me ndikim në zgjidhjen e çështjes.