E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu, heleni i fundit?

TIRANE - Dymijë e pesëqind vjet më parë në Athinë ishin dy burra, të cilëve ende ju përmendet emri: Aristidhi dhe Themistokliu. Shokë në fi llimet e tyre, u ndanë për shkak të një femre, dhe pas vdekjes së saj, duket se ndarja u thellua, pasi kishin karakter të ndryshëm. Aristidhi, ishte njeriu që e mbrojti Athinën kundër armiqve të saj, me fuqinë dhe pasionin që ta jep vetëm idealizmi. I ndershëm, dorëzonte në arkën e qytetit edhe plaçkën e luftës që i takonte me ligjet e kohës. I drejtë, përtej lakmisë së zakonshme njerëzore, u zbua nga qytetarët e tij, të shtyrë nga shoku i njëherë e një kohe. E kundërta e tij, Themistokliu, e mbrojti qytetin dhe Heladhën e kohës, kur kërcënohej nga persët. Fitues i madh i betejave, por njëkohësisht intrigant, i korruptuar dhe i pabesë në jetën e përditshme, grumbulloi pasuri të mëdha nëpërmjet kërcënimeve, duke përdorur pushtetin e fituar nga luftërat. Kur kuptoi se erërat kishin ndryshuar dhe mund të përfundonte në burg, u arratis pikërisht tek armiku i tij i madh pers, i cili i dha pension dhe karrigen e këshilltarit. Babai i atdheut, përfundoi në vrasës të tij, por mbylli sytë në mes të luksit. Mbartësi i virtytit vdiq në harresë dhe varfëri. Dhe kjo është një histori që ka mijëra vjet që përsëritet në kombe e popuj të ndryshëm, duke vërtetuar atë që thotë Indro Montaneli, se “shpesh historia ashtu si gratë, është e çuditshme, dhe dashuron birbot”.
Në agimet e mijëvjeçarit të tretë për Europën, pikërisht në tokën që ka shpikur demokracinë, po luhet një akt i ri i dramës greke: Jorgo Papandreu ka deklaruar se pas zgjedhjeve do japë dorëheqjen nga partia e themeluar nga babai i tij, Andreas. Mesa duket jo vetëm Ballkani, por edhe vetë Greqia, është e pa përgatitur të pranojë një politikan të kalibrit të tij. Njeriu që në postin e ministrit të jashtëm shkriu akujt me Turqinë; diplomati që ç’tensionoi raportet me fqinjët ballkanikë; europianisti i vendosur dhe atlantisti gjenetik; humanisti dhe themeluesi i “Asamblesë Qytetare të Helsinkit”; ish ministri i arsimit që njohu të drejtën e minorancës myslimane për arsim universitar; ekonomisti i cili dha gjithçka për ta nxjerrë vendin e tij nga humnera ku e futi qeverisja e papërgjegjshme e djathtë dhe spekulimet e financave ndërkombëtare, rrezikon të largohet.
Është folur për referendumin që propozoi në prag të largimit të tij, si një papjekuri politike, por pak kush pa në veprimin e tij, lëvizjen e cila e detyroi të djathtën vendase, nën presionin e homologëve të saj francez e gjermanë, të bashkëmerrte përgjegjësitë me PSAOK-un. Nea Demokratia e ish shokut të dhomës së kohërave universitare, Antonis Samaras, mendoi që socialistët të ishin të vetmit që të paguanin për krizën dhe e djathta të dilte e fituar megjithëse shkaktare. Jorgo tregoi se nga gjenia politike e të atit kishte trashëguar jo pak. Tentativa për të ndërruar në prag të ikjes së tij, drejtuesit e ushtrisë, ndryshe nga sa u gjykua nga analistë sipërfaqësorë, ishte një përpjekje për të mos lejuar oficerët me ide të djathta dhe radikale, të kërcënojnë një grusht shteti. Familja Papandreu ka pësuar shumë nga dhuna e ushtarakëve. Jorgoja nuk do që kjo të ripërsëritet, rishtas në kurriz të grekëve. Shokët e partisë dëshmuan se sëmundja e së majtës për të ngrënë bijtë e vet nuk është një ves i harruar, por eleganca e Papandreut nip që të vendosë interesat e partisë mbi ato personale vërtetojnë për të disatën herë thënien e një ylli tjetër të socialistëve, këtë herë anglez, David Milliband, i cili thoshte se “Papandreu, është një ndër burimet e frymëzimit për të majtën europiane”.
Papandreu është përfaqësuesi i një Greqie të re, e cila zgjimin e ka filluar me krismën e policit që vrau adoleshentin në 2008-ën. Një Greqi e cila do të rrëzojë mitet dhe do të shkëputet nga dogmat; e cila dëshiron të ketë një fytyrë europiane dhe shtet modern të bazuar në filozofinë e Platonit, Solonit dhe gjithë mendjeve të ndritura të lashtësisë që i dhanë emrin që ka sot. Është një popull, i cili do të shkëputet nga mbërthimi mbytës i kishës së gjithëfuqishme, kastave ekonomike dhe ushtarake dhe dinastive politike. Jorgo Papandreu, ishte pinjolli jo vetëm i familjes së tij, por i një populli të tërë, i cili kërkon të kthejë grekët dhe Greqinë e sotme ballkanase në lavdinë e mentalitetin e helenëve dhe Heladës së dikurshme. E megjithatë, koha po tregon se ende tek fqinjët tanë mbizotëron mentaliteti levantin, kjo ndërthurje e orientalizmit pers dhe osman e implementuar ne tokën ballkanase; dëshirojnë më shumë fjalët e ëmbla të demagogut, se sa realitetin e ashpër që paraqet burri i shtetit. “Gjëja më e rëndësishme për tu bërë, kur pozicioni yt dëshmohet i gabuar është të heqësh qafe profetin i cili të pati paralajmëruar dhe rrethanat i dhanë të drejtë”, – shkruan historiani Basil L. Liddell Hart. Duket, grekët e sotëm preferojnë të shohin se si profeti që u përpoq me mish e shpirt, t’ju tregonte rrugën e shpëtimit, po vritet politikisht. Jo më kot, mijëra vjet më parë, Aristidhi thoshte se “Athinasit çmojnë virtytin, por votojnë mbartësit e veseve të tyre”.
Shpresa e madhe është që rasti i Jorgo Papandreut, mos jetë as një meteor në qiellin e politikës ballkanase dhe as të përdoret si dëshmi se në këtë hapësirë nuk lind bima e demokracisë, ndërsa filozofët dhe burrat e shtetit u përkasin vetëm varrezave. Është e nevojshme të shpëtojë Papandreu, pasi është një fenomen europian që duhet përhapur, në një gadishull ku gëlojnë me shumicë demagogë, autokratë dhe monstra të totalitarizmave.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›