E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë hedh poshtë pretendimet e djalit të Remzi Hoxhës

TIRANE-Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj u shpreh sot se, për cështjen me të pandehur Ilir Kumbaro i akuzuar për zhdukjen në bashkëpunim të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha janë zbatuar gjithë ligjet dhe Kushtetuta dhe se nuk ka vonuar aspak qëllimisht zbardhjen e vendimit.

Në një njoftim per shtyp, Becaj hoshi poshtë sot pretendimet e Ardian Hoxha, djalit të të ndjerit, Remzi Hoxha që akuzon kryetaren e Gjykatës së lartë Shpresa Becaj se vonoi zbardhjen e vendimit për Kumbaron, duke i lënë kohë këtij të fundit të arratisej nga Britania duke bërë të pamundur kështu ekstradimin e tij në Shqipëri.

“Gjykata e Lartë, sqaron sërish opinionin publik, mbas qëndrimit të mbajtur prej saj në datën 13.12.2011 pranë agjensisë së lajmeve “Balkan Insight”, se pasoja e ardhur, arratia e shtetasit Ilir Kumbaro, nuk ka asnjë lidhje shkakësore me procedurat ligjore dhe administrative të detyrueshme që kanë të bëjnë me çështjen në fjalë. Vendimi i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda Nr 5 datë 05.01.2010 i cili vendosi lënien në fuqi të vendimit Nr.154, datë 15.12.2009 të Gjykatës së Shkallës së Pare të Krimeve të Rënda në lidhje me masën së sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Ilir Kumbaro, objekt shqyrtimi në Kolegjet e Bashkuara, është vendim i formës së prerë. Ekzekutimi i ketij vendimi nuk është pezulluar nga ana e Gjykates se Larte”.

Ndaj pretendimeve të Ardian Hoxhës për hetim të Becajt e Kolegjeve, kryetarja e Gjykatës së Lartë thekson shkurt se “Gjykata e Lartë dhe antarët e saj në shqyrtimin e kësaj çështjeje dhe dhënien e këtij vendimi, kanë zbatuar me përpikmëri vetëm Kushtetutën dhe ligjin”.

Gjykata e Lartë citon në një njoftim se për cështjen është punuar gjatë duke patur parasysh dhe problematikat ligjore.
“Ndryshe nga sa pretendohet, Gjykata e Lartë është investuar për çështjen në fjalë konform ligjit dhe proçedurave ligjore, për më shumë se një herë dhe, duke parë problematikat ligjore që paraqiste çështja, ka treguar kujdesin maksimal për të respektuar nje proçes të rregullt ligjor dhe pa paragjykuar asnjë nga palët në të drejtat e tyre themelore”.

Në njoftimin për shtyp Gjykata e Lartë thekson se për të arritur në vendimin përfundimtar, i cili e la në kushtet e arrestit me burg të pandehurin I. Kumbaro, duke e konsideruar si një masë të përshtatshme dhe në përputhje me rrezikshmërinë shoqërore si të vepres dhe të autorit, Kolegjet e Bashkuara të kësaj gjykate kanë punuar hap pas hapi për të krijuar mundesitë ligjore e teknike në mënyrë që të realizohej një gjykim i drejtë e i paanshëm.
Gjatë këtij procesi thekson njoftimi, Kryetares së Gjykatës së Lartë i është dashur të anashkalonte pengesat që buronin duke krijuar të gjitha mundësitë ligjore dhe teknike për t’u mbledhur dhe vendosur për këtë çështje.

Gjykata e Lartë sqaron se në ndryshim nga vendimet e kolegjeve të thjeshta dhe Kolegjeve të Bashkuara, Vendimet Unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara kërkojnë një arsyetim më të argumentuar, më të detajuar dhe me përgjegjësi, në mënyrë që ato të jenë produkt i një interpretim që shërbejnë dhe si praktikë gjyqësore për të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë.
“I tillë është edhe Vendimi Unifikues i datës 14.10.2011 me të pandehur Ilir Kumbaron. Për këtë arsye, u bë e mundur publikimi i vendimit të shumicës së anëtarëve të Kolegjeve të Bashkuara më datë 20.12.2011 në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë”.

(d.bonollari/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Ardian Hoxha: Shpresa Beçaj ‘liroi’ Ilir Kumbaron

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›