Papandreu premton mbështetje për emigrantët shqiptarë
Presidenti i Internacionales Socialiste Greke, George Papandreu, mbështet liderin e opozitës, Edi Rama, dhe premton një paketë të plotë për emigrantët shqiptarë
TIRANË - Emigrantët shqiptarë në Greqi do të trajtohen njësoj si qytetarët dhe punëtorët vendas, me të drejta dhe kushte të barabarta pune. Kështu është shprehur Presidenti i Internacionales Socialiste Greke, George Papandreu, në takimin me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe familjarët e emigrantëve. Socialistët kërkojnë të sigurohen që emigracioni të bëhet në mënyrë të organizuar dhe të rregulluar, pasi vetëm kështu mund të arrihet shmangia e emigrantëve nga punët e paligjshme.
"Punë e paligjshme do të thotë shfrytëzim, shfrytëzim të emigrantëve, por do të thotë shfrytëzim edhe të jo emigrantëve, sepse u duhet të konkurrojnë me kushtet, me të cilat përballen emigrantët. Pra, me pagat e ulëta, mungesën e infrastrukturës sociale dhe mbrojtjes sociale",- është shprehur Papandreu para familjarëve të emigrantëve. Ndaj, socialistët e dy vendeve po punojmë fort për të arritur të zhdukim ilegalitetin.
Papandreu theksoi se, "duhet të shtrijmë një sistem pensionesh, që një shqiptar emigrant që ka punuar në Greqi prej shumë vitesh, të ketë të drejtë që pensioni t'i transferohet në Shqipëri dhe anasjelltas".
Papandreu ka folur edhe për integrimin e shqiptarëve në Greqi, ku veçoi edhe propozimet e Partisë Socialiste në këtë drejtim: "Nëse një fëmijë lind në Greqi, ai të mund të marrë automatikisht shtetësinë greke. Në rast se një fëmijë ka mbaruar shkollën e mesme dhe ka jetuar në Greqi për tre vjet, edhe në këtë rast, ai ose ajo, do të marrë automatikisht shtetësinë greke.
Dhe, së fundi, në rast se është një shqiptar, i cili nuk ka lindur në Greqi, ky fëmijë, pas pesë vjetësh, me kërkesë të familjes, mund të bëhet shtetas grek, në bazë të disa kushteve specifike.
Emigrantët mund të bëhen anëtarë me të drejta në Partinë Socialiste greke dhe të kenë të drejtë të votojnë në zgjedhjet tona të brendshme, gjithashtu do të ngremë edhe një komitet të veçantë për politikat e emigracionit".
Nga ana tjetër, kreu i PSSH-së, Edi Rama, theksoi se, "ato që miku ynë Papandreu i përmendi me radhë, janë sfidat e një shoqërie të zhvilluar dhe në tërësi të BE-së, në raport me emigracionin, në raport me emigrantët, në raport me integrimin normal dhe me rritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale të të huajve, që punojnë në vendet e BE-së, por njëkohësisht, në raport edhe me sfidën e madhe të luftës ndaj ilegalitetit që sjell robërim, që sjell shfrytëzim, që sjell keqtrajtim dhe që, sigurisht, sjell pastaj edhe kriminalitet, e kështu me radhë".