Dy aksidente shënojnë dy të plagosur
Shkodër
SHKODËR - Dy aksidente automobilistike kanë ndodhur gjatë së enjtes në Shkodër duke shkaktuar plagosjen e dy personave. Në afërsi të një filiali banke, 27-vjeçari Marash Ndrevashaj lindur në Shosh të Dukagjinit, teksa lëvizte me motoçikletën e tij tip "Kavasaki", me targa SH 471 C, ka aksidentuar 50-vjeçaren Stane Kola, e cila ishte duke ecur në këmbë në krahun e djathtë të rrugës.
Nga përplasja gruaja ka pësuar dëmtime në kokë dhe ndodhet në spitalin e Shkodrës. Ndërsa rreth orës 15:00, në aksin rrugor Koplik-Bogë në fshatin Xhaj të komunës Shkrel, autobusi tip "Benz" me targë MA 3357 D, që drejtohej nga Luigj Gega, 47 vjeç, nga Boga, është goditur nga një mjet kamionçinë me targë LE 86-04 A, që drejtohej nga Vlash Skandaj, 52 vjeç, lindur e banues në fshatin Baçël, komuna Blinisht në Lezhë. Aksidenti ka ndodhur tek një kthesë e rrugës në fshatin Xhaj, ku si pasojë është plagosur drejtuesi i autobusit. Autorët e të dy aksidenteve ndiqen në gjendje të lirë.