Berisha: “Opozita të kthehet në Kuvend për të mbështetur liberalizimin e vizave
Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, ka përsëritur dhe njëherë ftesën drejtuar opozitës socialiste për t’u rikthyer në sallën e Kuvendit. Berisha është shprehur se më këtë veprim opozita do të vërtetojë se mbështet procesin integrues të Shqipërisë, si dhe liberalizimin e vizave për shqiptarët me vendet e BE-së. Nga ana tjetër Berisha tha se PS-ja do të ketë të drejtën e propozimeve të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ndërkaq, po gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar, kreu i qeverisë u përqendrua te skema e re e ndihmës ekonomike për individët në nevojë, si dhe për marrëdhëniet me pushtetin vendor, duke premtuar rritjen e granteve.
Ftesa
“Ftoj opozitën që të vijë në Parlament për të treguar në këtë mënyrë se mbështet liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë me vendet e Bashkimit Europian dhe nuk është kundër këtij procesi. Liberalizimi i vizave do të bëhet sepse qeveria do të plotësojë të gjitha kushtet dhe kriteret, por është në interesin më të mirë të opozitës që të dëshmojë me praninë e saj se nuk është kundër këtij procesi, por e mbështet atë. Është gabim t’ia lësh të gjithë meritën njërës palë. Opozita le të urdhërojë në Parlament sepse ka shansin për të kontribuuar në këtë proces”, - është shprehur Berisha. Kreu i qeverisë ftoi opozitën që të shfrytëzojë Parlamentin dhe të japë kontributin e vet në të gjitha reformat. “Ne e mirëpresim oponencën e opozitës në Parlament dhe garantojmë se zëri i saj do të dëgjohet me seriozitetin më të madh”, - tha kryeministri. Gjithashtu, ai siguroi se në rekomandimet që bëhen në raportin e OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore, opozita do të ketë zërin kryesor. “Në reformën e deritanishme zgjedhore opozita ka qenë përcaktuese dhe unë sërish do të pranoj që ata të jenë përcaktues për këtë reformë. Në tërësi, në Kodin Zgjedhor janë vendosur norma të pranueshme për standardet ndërkombëtare që kanë nevojë edhe për një përmirësim të mëtejshëm, prandaj e ftoj opozitën që të vijë në Parlament dhe të përmirësojmë Kodin Zgjedhor”, - u shpreh kryeministri Berisha. Opozita nuk ka marrë pjesë në asnjë seanca parlamentare në këtë legjislaturë. Madje kreu i opozitës, Edi Rama, ka paralajmëruar fillimin e protestave popullore deri në pranimin e kushteve nga ana e maxhorancës. Kushti i PS-së për t’i dhënë fund bojkotit është hapja e kutive të votimit në disa qendra ku ata pretendojnë se ka pasur parregullsi, të cilat kanë ndikuar në rezultatin e kësaj partie në zgjedhjet e 28 qershorit.
Pushteti vendor
Berisha, gjatë fjalës në mbledhjen e Grupit, garantoi autoritetet vendore të të gjithë spektrit politik se qeveria shqiptare është e vendosur të rrisë në mënyrë të ndjeshme grantin për qeveritë vendore. “Me ligjet që keni votuar javën e kaluar në Parlament ju keni sjellë një kontribut të madh, në mënyrë të veçantë në përmirësimin e klimës së biznesit. Është një arritje e madhe vendosja e parimit ‘heshtja është miratim’ për TVSH-në për biznesin, si dhe një seri ligjesh të tjera në të cilat mbrohet biznesi nga rëndimet e pamerituara të autoriteteve shtetërore. Qeveria është e gatshme që mbi bazën e projekteve të financojë qindarkë për qindarkë të gjitha shumat që ata mund të pretendojnë se iu ulën për shkak të vendosjes së ligjit për taksat vendore”, - është shprehur Berisha, ndërsa u shpreh kundër fryrjes së administratës nga ana e pushtetarëve vendorë. “Në mënyrë absolute kjo qeveri nuk do të japë asnjë qindarkë për fryrjen e administratës, ashtu siç ka ndodhur deri tani. Nëse ndokush e konsideron administratën si ndërmarrje punësimi, ky është koncepti më i gabuar dhe më i rëndë për taksapaguesit shqiptarë. Administrata qendrore dhe lokale nuk është dhe nuk mund të jetë ndërmarrje punësimi”, - u shpreh Berisha. Në këtë kontekst, ai tha se në buxhetin e ardhshëm do të organizohet Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, i cili në mënyrën më transparente do të përfshijë të gjitha investimet që do të bëhen nga buxheti i shtetit në qarqe, bashki dhe komuna. “Ne do të ndërtojmë edhe qindra e qindra ujësjellës të tjerë, do të ristrukturojmë dhe do të ndërtojmë të gjitha shkollat e mbetura, do të shumëfishojmë grantet dhe kredinë e butë. Pra ne e marrim si një sfidë jashtëzakonisht serioze mbështetjen për Shqipërinë rurale”, - tha kryeministri Berisha. Ai gjithashtu njoftoi se qeveria po punon në ndryshimin e skemës së ndihmës ekonomike, e cila do të synojë shmangien e abuzimeve. “Ne do të ndërtojmë një skemë të re të ndihmës ekonomike, me të cilën nuk do të lejohet më që të ketë familje shqiptare që të përballet me mjerimin. Ne nuk mund ta zhdukim varfërinë, pasi varfëria, për fat të keq, shoqëron edhe vendet më të zhvilluara, por mjerimi mund të zhduket. Skema e re për ndihmën ekonomike synon që të japë garanci të plotë për të nxjerrë jashtë mjerimit të gjitha familjet shqiptare. Me ndihmën ekonomike ka një abuzim të jashtëzakonshëm”, - është shprehur Berisha, ndërsa premtoi mbylljen e hapësirave për abuzim. Ai gjithashtu premtoi se do të rritet fondi për ndihmën ekonomike deri në 200 milionë dollarë apo 300 milionë dollarë.
6 Tetor 2009