Withers takon ministrin e Jashtëm, Meta, i jep mesazhin e Hillari Klintonit
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me ambasadorin e SHBA-ve nё Tiranё, John Withers. Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John Withers, i uroi suksese zëvendëskryeministrit Meta dhe e siguroi atë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis SHBA-ve dhe Shqipërisë. Pas vlerësimit të nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, ambasadori Withers i dorëzoi ministrit Meta mesazhin e urimit të sekretares së Shtetit, Hillari Klinton, përmes të cilit ajo shpreh mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të do t’i japin Shqipërisë gjatë procesit të integrimit euroatlantik, si dhe thekson angazhimin për thellimin e partneritetit të ngushtë mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Meta e falënderoi ambasadorin Withers për mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për intensifikimin e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve. Ambasadori Withers vlerësoi gjithashtu edhe rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë në rajon, tashmë edhe si vend anëtar i NATO-s, si dhe politikën e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal.
6 Tetor 2009