E Diel, 1 Nëntor 2026

“Papjekuri e lidershipit të PS-së, zgjidhje vetëm në bazë të ligjeve”

Ngërçi politik, flet Ilir Meta Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm


"Zgjidhja do t’i shërbente vendit, por kurrsesi nuk do të dilet mbi kushtetutën dhe ligjet"


Nga Danimarka Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i jashtëm Ilir Meta ka deklaruar se situata politike mund të normalizohet vetëm nëpërmjet dialogut. Nr 2 i qeverisë u shpreh se ka ende hapësira që garantojnë transparencë brenda kuadrit kushtetues falë të cilave mund të normalizohet situata politike. “Shqipëria ka një problem politik që nuk mund të anashkalohet, që është pikërisht mungesa e maturisë politike nga ana e lidershipit të opozitës për t’u sjellë në mënyrë demokratike. Ne kemi qenë të hapur për t’i siguruar të gjitha hapësirat opozitës, pa cenuar Kushtetutën dhe pavarësitë e gjykatave. Shpresoj që në javët e ardhshme të arrihet një marrëveshje që ti shërbejë kapërcimit të kësaj situatë, që unë do ta quaja, moment papjekurie politike”, u shpreh numri dy i qeverisë. Ndërkaq Meta pas takimit me homologen danezë Espersen ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Gjatë vizitës së tij në Danimarkë, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta u takua edhe me Kryetaren e Komisionit Parlamentar të çështjeve të Jashtme, Eva Kjer Hansen. Gjatë takimeve është diskutuar edhe për realizimin e një forumi shqiptaro-danez në Kopenhagën, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë politikë dhe investitorëve e biznesmenëve të rëndësishëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›