Papuçiu: Apolonia do të rritë edhe nivelin e lojës
E kemi merituar. Skuadra interpretoi mirë dhe luajti me kujdesin e duhur, duke u kurorëzuar fituese në fund të takimit, – deklarohet pas ndeshjes trajneri i Apolonisë, Dhimitër Papuçiu. Bardhejeshilët kanë thyer tersin e transfertës dhe janë çliruar në ndeshjen kundër kamzalinjve, duke arritur të fitojnë ndaj një kundërshtari të vështirë në fushën e vet.
Fierakët kanë përmbysur parashikimet dhe kanë ndalur një Kamzë, e cila kishte zhvilluar ndeshje të bukur dhe me nivel edhe në transfertë, madje ndaj kundërshtarëve prestigjiozë, si Flamurtari e Bylisi.
Kanë qenë tri pikë të vlefshme dhe, në këtë kampionat të gjatë, do të na vlejnë shumë. Ekipi është përpjekur që të mos krijojë hapësira për kundërshtarin në asnjë drejtim. Për sa i përket lojës, mund të them se duhet të synojmë ende, për ta ngjitur në nivelet që ne pretendojmë. Mbetet për tu bërë sidomos në aspektin e fazës finale dhe, mbi të gjitha, në finalizim.
Megjithatë, në ndeshje me densitet të tillë dhe me kaq ngarkesë, i rëndësishëm në fund është rezultati. Ky tripikësh i ka dhënë skuadrës një shtysë pozitive për vazhdimësinë. Deri në ndeshjen e ardhshme, do të kemi mjaft kohë në dispozicion dhe besoj se ndërprerja momentale do të na shërbejë për të vënë dorë pikërisht në ato elemente që kanë nevojë për tu përmirësuar ende në vazhdimësi, – ka thënë midis të tjerave Dhimitër Papuçiu, trajneri që drejton skuadrën zyrtarisht për shkak të pezullimit të trajnerit Nica.
