E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampionët gjobitet me 30% të rrogës, Zeqo e mohon

Nga LEONARD TREBICKA

Rrogën e gushtit stafi dhe futbollistët korçarë e kanë marrë me gjobë. Klubi merr masat e para, ndërsa presidenti ngre supet

Më së fundi, është zbuluar edhe gjoba e parë për ekipin e Skënderbeut. Edhe pse nuk ka qenë një gjobë e orëve të fundit, duhet thënë se pas disa rezultateve jo të mira, sidomos në dy javët e para, me barazimet ndaj Tomorit dhe Dinamos, klubi juglindor ka prerë edhe biletën e parë të gjobës për të gjithë futbollistët, por njëkohësisht edhe për stafin teknik.

Kjo gjobë, që është vendosur përpara se lojtarët të udhëtonin drejt Laçit, është munduar që të mos bëhet publike për mediat, por kanë qenë vetë lojtarët dhe stafi teknik, që kur kanë tërhequr në bankë rrogën e muajit gusht, kanë parë që kanë pasur më pak para nga çfarë kanë marrë më parë.

Nga klubi Skënderbeu bëjnë të ditur se gjoba e futbollistëve, por edhe e stafit teknik me në krye trajnerin Shpëtim Duro, ka qenë këtë herë në vlerën 30% të rrogës për të gjithë. Kjo ka qenë masa e parë që është marrë në adresë të Skënderbeut, ndërkohë që skuadra në katër javët e para ka vetëm pesë pikë.

Mohimi i Zeqos I pyetur në lidhje me këtë gjobë, presidenti Agim Zeqo e mohon një gjë të tillë, teksa thotë: “Nuk ka gjobë për lojtarët dhe stafin teknik,” – ka thënë prerazi Zeqo. Ndërkohë që vetë lojtarët dhe stafi teknik, të pyetur në lidhje me këto gjoba, janë shprehur se janë bërë realitet, pasi në rrogat e muajit gusht ata kanë marrë 30% më pak të pagës.

Ndoshta një gjobë të tillë Skënderbeu e kishte hak pas gjithë këtyre rezultateve jo fort të mira që ka arritur në javët e para, por ajo që bie në sy është deklarata e presidentit, i cili e mohon. Kampionët e shohin veten për momentin në vendin e 10-të, një vend që as e kishin menduar më parë, ndërkohë që tani ky është një fakt.

Sezonin e kaluar, Skënderbeu vetëm tri javë kampionat provoi vendin e tretë, ndërkohë që në këtë superligë e shikon veten shumë poshtë. Me të drejtë edhe drejtuesit e skuadrës e kanë prerë gjobën e parë, që mund të cilësohet e para edhe për “epokën” e presidentit Zeqo. Nëse këto rezultate do të vijojnë, atëherë mund të priten edhe gjoba të tjera në klubin “Skënderbeu”.

Zeqo: Na mungon goli, sulmi nuk po reagon…!

Nuk luajtëm keq në Laç, madje mund të them se kemi qenë më superiorë se kurbinasit, pa thënë se kemi qenë ata që kemi qarkulluar më shumë topin, por ja që nuk vlen asgjë e tillë, pasi ne humbëm. Më vjen keq që nga kjo transfertë e vështirë dolëm pa gjë, por kështu e ka futbolli, kur nuk shënon, e pëson.

Të gjithë merakun e kam te sulmi, ku asnjë prej sulmuesve nuk po shënon dhe kjo vërtetë po na mundon shumë. Me pak fjalë, në Laç ne luajtëm mirë dhe nuk mund të them gjë për sa i përket lojës, por humbja është humbje dhe sigurisht që kjo ka bërë që ne të mos gjejmë dot ritmin e duhur. E pashë në mbrëmje vonë edhe nëpërmjet ekranit golin e Muzakës, që ka qenë i rregullt.

Gola të tillë që anulohen me pa të drejtë, detyrimisht që ndikojnë në rezultat dhe kjo ndodhi këtë herë me ne. Shpresoj dhe besoj që gjykime të tilla të mos ndodhin më, pasi ne jemi një skuadër më shumë se korrekte në fushë, ka deklaruar dje mes të tjerash presidenti Agim Zeqo.  

Nuk mjafton një “Shkëmb” për Skënderbeun!

Sezonin e kaluar, kur Skënderbeu u shpall edhe kampion i superligës në të njëjtën javë si sot, pra pas javës së 4-t golashënuesi më i mirë i kampionëve ka qenë Shkëmbi me 2 gola. Si për ironi të fatit, edhe sot pas javës së 4-t të kësaj superlige, te korçarët kryeson Shkëmbi po me dy gola. Në Laç përsëri kuqebardhët i janë falur liderit dhe kapitenit të tyre, ndërkohë që sulmi i Skënderbeut në 4 javët e para ka shënuar vetëm një gol me anë të Kërçikut. 4 gola kanë shënuar gjithsej korçarët, pra një gol për ndeshje, ndërkohë që Shkëmbi është ai që ka shënuar gjysmën e këtyre golave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›