E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papunesia thellon krizen ne Greqi

Kriza në Greqi po bëhet gjithnjë e më e thellë. Sipas zyrës statistikore greke në muajin prill të këtij viti papunësia ka arritur në një nivel rekord duke prekur 27 mijë persona të tjerë, ndërkohë që norma e papunësisë ka arritur ne 22,5%. Sipas zyrës së statistikave rritja vjetore e të papunëve rezulton me 38,5% apo 307 mijë të papunë më shumë. Vetëm në periudhën një mujore mes marsit dhe prillit, grekët që nuk kanë një vend punë janë shtuar me 27 mijë njësi dhe kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar  numri i tyre është rritur me 4%. 
Ndërkohë ministri për reformën administrative Antonis Manitakis, pas takimit me presidentin e një prej sindikatave më të mëdha greke ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë largim nga puna të punonjësve publik edhe në rast të shkrirjes së enteve shtetërore të panevojshme. Sipas ministrit punonjësit e këtyre institucioneve publike do të transferohen në vende të tjera pune. Po kështu ka deklaruar edhe ministri i punës dhe çështjeve sociale të Greqisë, Giannis Vroutsis pas takimit me drejtuesit e konfederatës së përgjithshme të punonjësve Helen mbi çështjet më problematike të Greqisë. Presidenti i kësaj konfederate ka deklaruar se qeveria duhet të angazhohet për të realizuar marrëveshjen që do të arrihet më grupet sociale.  Gjithsesi të dhënat mbi papunësinë në Greqi vijnë në një moment në të cilën rrezikohet rinegocimi i paktit mes Athinës dhe trojkës ndërkombëtare, ku qeveria do të jetë e detyruar të gjejë rrugën më të mirë për të gjetur konsensusin jo vetëm me sindikatat private e publike në vend por edhe me BE, FMN dhe BQE.  

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›