E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fejzullahu, transferi i verës në Suedi

Erton Fejzullahu është përforcimi më i madh i verës në Suedi. Sulmuesi kosovar i Djurgardenit u votua më së shumti nga rreth 2 mijë lexues të ueb faqes fotbolltransfers.com, duke marrë 25 për qind të votave. Në dhjetëshen e përforcimeve më të qëlluara të verës gjendet edhe mesfushori kosovar i Syrianskas, Labinot Harbuzi, i cili gjendet në pozitën e pestë.

Gjithçka flet për Erton Fejzullahun. Sulmuesi kosovar është zgjedhur përforcimi më i madh i verës në futbollin suedez. Kështu mendojnë lexuesit e ueb faqes suedeze fotbolltransfers.com. Afërsisht 2 mijë vizitorë mendojnë se Djurgardeni ka përfituar më së shumti gjatë verës, pasi e votuan ish futbollistin e NEC Nijmegenit më së shumti.

Ai mori një të katërtën e votave, përkatësisht 25 për qind të tyre. 24 vjeçari, i cili sezonin e fundit e kaloi si huazim në Mjallby, ka realizuar 5 gola këtë sezon në Allsvenskan. Ai ndihet i lumtur që iu shpërblye puna dhe mundi i deritashëm.

“Është vërtet ndjenjë e bukur që jam votuar më së shumti. Kjo nënkupton se puna ime po vërehet”, ka thënë Fejzullahu. “Ka shkuar gjithçka mirë për mua, sepse kam treguar cilësitë e mia dhe e kam ndihmuar Djurgardenin që ta përmirësojë lojën. Natyrisht, kur të kesh bashkëlojtarë të mirë përreth teje, kjo e bën punën më të lehtë”, vazhdoi futbollisti kosovar.

Ai ka nënshkruar kontratë me Djurgardenin deri në vitin 2016 dhe ndihet i lumtur në ekipin suedez, ku planifikon të qëndrojë për një periudhë afatgjate para se të mendojë për transferim në një ligë më të fortë evropiane.

“Është ndjenjë e bukur të jesh në Djurgarden. Më pëlqen skuadra, lidershipi dhe natyrisht ambienti që më rrethon”, përfundoi Fejzullahu.

Në dhjetëshen e përforcimeve më të mira futet edhe futbollisti tjetër kosovar Labinot Harbuzi, i cili u transferua në Syrianska gjatë verës dhe fitoi 7 për qind të votave.

Pozita e dytë i ka takuar futbollistit të AIK Stokholmit, Henok Goitom (13%), kurse ajo e treta lojtarit të Hammarbyt, Kennedy Bakircioglu (13%). I katërti ishte lojtari i AIK-ut, Mohamed Bangura (8%).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›