E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paqe mes gjolit dhe incidenteve në Peqin



Pas dy shtyrjeve për shkak të terrenit të papërshtatshëm, Shkumbini e Vllaznia ndanë nga një pikë në barazimin pa gola në Peqin, ndeshje që mbylli dhe javën e 23-të të Kategorisë Superiore. Ky ishte barazimi i parë midis tyre në tri ndeshjet sezonale. Vllaznia fitoi në fazën e parë 2-0 në “Loro Boriçi” (java 7, dy gola të Bekim Balës), ndërkohë që Shkumbini triumfoi 2-1 ndaj Vllaznisë, falë dy dy golave të realizuara nga dy blerjet dimërore Fejzo Shënaj e Altin Gërboviç në ndeshjen hapëse të javës së 18-të. Shkumbini u ngjit në kuotën e 31 pikëve (po aq sa Teuta), por duke kapur vendin e 5-të falë golaverazhit më të mirë se durrsakët. Vllaznia, tashmë në kuotën e 27 pikëve, la pas katër skuadra : Kastrioti, Flamurtari, Skënderbeu e Gramozi, duke dalë përkohësisht nga zona e “minuar” e Superligës. Në javën e 24-t – e cila pas shtyrjes nga ana e Sektorit të Garave nuk do të luhet këtë fundjavë, por në një datë të re – Vllaznia do të presë në Shkodër Laçin e vendit të katërt, ndërsa Shkumbini do të luajë në Fier kundër Apolonisë së vendit të shtatë.
Incidente pas ndeshjes

Barazimi i arritur në takimin Shkumbini-Vllaznia, duket se nuk është pritur mirë nga ana e tifozërisë peqinase, e cila menjëherë pas përfundimit të ndeshjes ka demostruar akte rrugaçërie ndaj ekipit të Vllaznisë. Sipas informacioneve që vijnë nga Peqini, grumbuj tifozësh peqinas i kanë bërë një pritë autobusit të Vllaznisë sapo ai ka dalë nga mjediset e stadiumit duke e bllokuar atë tek ura e këtij qyteti. Në rrugë janë vendosur disa kazanë të pastrimit të qytetit duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve, ndërkohë që në drejtim të autobusit të Vllaznisë janë shigjetuar gurë të shumtë, duke i dëmtuar xhamat e tij dhe terrorizuar jo pak edhe futbollistët që gjendeshin brenda në autobus. Pas ngjarjes në fjalë, drejtuesit e klubit vendas të Shkumbinit të Peqinit kanë sjellë në vendgjarje një autobus tjetër për të mundësuar transportin e skuadrës shkodrane, por gjithnjë sipas informacionit që mbërrin nga Peqini, përfaqësuesit e Vllaznisë, sportistë, trajnerë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të klubit Vllaznia nuk kanë pranuar të transportohen nga autobusi peqinas dhe janë nisur në mënyrë demostrative në këmbë drejt qytetit të Shkodrës.

BILANCI I SKUADRAVE
42 ndeshje; 15 fitore Shkumbini, 7 barazime, 20 fitore Vllaznia

Java 23

06.03.2010

Tirana-Kastrioti 0-1
Djarmati 13’

07.03.2010

Dinamo-Gramozi 1-0
Malarcane 57’

Besa-Skënderbeu 1-2
Xhafaj 763’/ Lika 44’, Guerrib 60’

Laçi-Flamurtari 3-1
Nora 36’, 56’; Veliaj 78’/ Zeqiri 85’

Teuta-Apolonia 1-1
Imeraj 47’/ Brkiç 16’ (p)

10.03.2010
Shkumbini-Vllaznia 0-0

RENDITJA

1 Dinamo 23 57
2 Besa 23 40
3 Tirana 23 35
4 Laçi 23 34
5 Shkumbini 23 31
6 Teuta 23 31
7 Apolonia 23 30
8 Vllaznia 23 27
9 Kastrioti 23 26
10 Flamurtari 23 24
11 Skënderbeu 23 24
12 Gramozi 23 19

Terrenet e këqija, FSHF-ja shtyn ndeshjet

Federata Shqiptare e Futbollit, duke parë kushtet e rënduara të vazhdueshme atmosferike në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe për t’i ardhur në ndihmë klubeve për përmirësimin e terreneve sportive, vendosi shtyrjen e plotë të të gjitha ndeshjeve të javës në kampionatet kombëtare: Kategoria Superiore, Kategoria e Parë, Kategoria e Dytë, U-19 dhe U-17.

Salihi “luan” futboll me duar

Hamdi Salihi edhe pse nuk ka nisur dhe aq “ëmbël” fazën e tretë të kampionatit austriak me Rapidin (nuk u aktivizua ndeshjen e fundit kundër KSV Superfund), sërish mbetet një sportist popullor. Sulmuesi shqiptar, së bashku edhe me futbollistët e tjerë të rekordmenëve austriakë, si Helge Payer, Branko Boshkoviç dhe Christopher Drazan do të japin të premten autografe për pjesëmarrësit e turneut të tretë sportiv elektronik, “Sport Soccer Cup”, ku “lojtarët” do të sfidojnë njëri-tjetrin në lojën kompjuterike “FIFA 10”, apo siç e përkufizon gazeta e madhe austriake, “Kurier”, në lojën ku “futbolli luhet me duar”. Rapidi luajti dje në çerekfinalen e Kupës së Austrisë kundër Linz. 26-vjeçari Salihi ka shënuar në 14 ndeshje me Rapidin 10 gola, duke qenë “bomberi” i skuadrës, plus këtyre ka shënuar edhe 2 gola me ish-skuadrën e tij, SV Ried, në fillim të sezonit.

11 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›