Parada, PLL: Berisha të mbajë vendin që i takon
Debati për organizimin e paradës së komunitetit LGBT në Tiranë duke se po krijon një krisje mes Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe Partisë Demokratike.. Pas deklaratave pro mbajtjes së paradës në Tiranë, një ditë më parë nga kryeministri Berisha, dhe kritikave në drejtim të deklaratave të zëvendësministrit të Mbrojtjes, Ekrem Spahiut, që kryeministri i quajti aspak mbretërore ka ardhur reagimi i PLL-së.
Kryeministri Berisha tejkalon të drejtat e veta kur merr përsipër të komentojë qëndrimet e kryetarit të partisë Lëvizja e Legalitetit z. Ekrem Spahiu. Ne kemi qëndrimet tona të pavarura e që burojnë prej programit të PLL. Ne asnjëherë nuk kemi komentuar qëndrimet e partive, fjalorin apo batutat e politikanëve të tjerë, sepse mendojmë se çdokush duhet të dije të mbajë vendin që i takon. Po të ishte rasti për komente të tilla, dihet fare mirë se kush ka për të thënë më shumë- është përgjigja e PLL-së.
Më tej PLL thekson se përkrahjen ndaj LGBT-ve e kanë pritur nga ndonjë politikan tjetër, por jo nga kryeministri Berisha, duke shtuar se, opinioni i tij shkon kundër vullnetit të shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë.
Avokati i Popullit, i cili duket se po pret me padurim që të organizohet një paradë e LGBT-ve në Tiranë, thuhet më tej në deklaratë, duhet të ndihet më shumë sesa i qetë.
Ne presim nga ai dhe Kryeministri që të ndjehen më shumë të shqetësuar nga padrejtësitë që po vuajnë ish-pronarët e ligjshëm, ish-të burgosurit dhe përndjekurit politikë, të varfrit, njerëzit më aftësi të kufizuar, komunitetet fetare, etj. sesa nga fati i një grusht njerëzish.- thekson PLL në deklaratën e saj.