Paradë afrikane në Ditën e Bastijës. Plasin polemikat kundër Sarkozisë
Ka shkaktuar plot polemika parada në stilin afrikan, e organizuar në Paris me rastin e përvjetorit të marrjes së Bastijës. Për herë të parë, forcat e armatosura të 13 vendeve afrikane, të gjitha ish-koloni franceze, sfiluan në bulevard për paradën tradicionale. Në tribunën e nderit, bashkë me Presidentin Nicolas Sarkozy dhe bashkëshorten e tij, Carla Bruni, ishin dhe 12 liderë afrikanë: që nga Burkina Faso e deri te Kameruni, Kongo, Gaboni, Mali, Nigeri dhe Senegali. Të martën, liderët afrikanë u pritën në Elize nga Presidenti i vendit. Vetëm Bregu i Fildishtë, me të cilin Franca nuk i ka të mira marrëdhëniet, nuk pranoi të merrte pjesë. Megjithatë, zgjedhja e Sarkozisë u kritikua ashpër nga organizatat e të drejtave të njeriut. Ato bënë me dije se mes ushtarëve të veshur me uniformë që sfiluan në zemër të Parisit, por mbi të gjitha mes liderëve afrikanë në tribunë, kishte edhe diktatorë, “të cilët Franca në vend që t’i përndjekë, i nderon”, shkruhej në një letër që shumë shoqata të mbrojtjes së njeriut i drejtuan Presidentit. Por festa kombëtare e Francës, 14 korriku, këtë vit u zhvillua pa harxhime dhe shpenzime të tepruara. Nuk u zhvillua pritja e madhe në Elize, një vendim që sipas zëdhënësit Luc Chatel do ta bëjë shtetin të kursejë plot 780 mijë euro. Në Francë festohet çdo vit dita e marrjes së Bastijës. Sot ajo është Dita Kombëtare e Francës, edhe pse realisht më 14 korrik të 1789-s ajo ngjarje nuk bëri shumë jehonë.
#