GJND-ja nuk do të dalë kundër vullnetit të popullit
Presidenti Fatmir Sejdiu ka shprehur bindjen se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) me opinionin e saj nuk do të dalë kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës për liri dhe shtet të pavarur. Edhe pse nuk ka dashur të paragjykojë mendimin që do të japë GJND-ja, Presidenti Sejdiu ka thënë se Kosova është paraqitur dhe ka dhënë argumente të bazuara fuqishëm për funksionimin e shtetit të Kosovës. "Rreth GJND-së unë s'duhet të paragjykoj asnjëherë se cili do të jetë formula në shprehjen e mendimit final. Por them gjithmonë se argumentet e Kosovës janë të bazuara. Për ne është me rëndësi se Kosova është një realitet pozitiv, i ndërtuar me vullnetin e qytetarëve të saj dhe i dhënë në verdiktin e 17 shkurtit të 2008-s. Pra një realitet që nuk kthehet asnjëherë në vullnetin që dikush mund të ketë një vullnet të antinatyrshëm për të cenuar lirinë e dikujt. Ne do zhvillohemi dhe do të jetë një ecje e suksesshme, shans i barabartë për të gjithë qytetarët e saj", ka thënë Sejdiu. Ndërkaq, kreu i vendit ka komentuar edhe deklaratën e djeshme të shefit të Misionit EULEX-it, Yves de Kermabon, i cili bëri të ditur se gjykatësit dhe prokurorët vendorë nuk do të kthehen në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë më 15 korrik, sepse ende janë duke vazhduar diskutimet mes palëve përkatëse. Sejdiu ka thënë se nuk do të ketë ndalje për vendosjen e institucioneve përkatëse dhe ligjshmërisë në gjithë Kosovën, sepse kjo është në interesin e të gjithëve. "EULEX-i është i përkushtuar në këtë proces, por afatet kohore mund të jenë ndonjëherë pjesë e studimeve të momentit. Prandaj duhet të besoj se nuk do të ketë ndalje. E rëndësishme është se kjo është një përputhje e përbashkët me gjithë qytetarët e vendit dhe sot kisha edhe disa mysafirë në zyrën time që ma shtruan këtë pyetje, apo këtë temë. është në interes të të gjithëve që të ketë sundim të ligjit", ka thënë Sejdiu.
#