Diktati enverist i bllokuesve të trembur
Meqë E.Rama ka humbur shpresën për të fituar zgjedhjet e 2013-ës, është bërë aq arrogant, sa po kërkon pushtet në tavolínë. Prandaj, sa herë duhet vota e deputetëve të tij për reformat madhore, ai vë “kushte” për të fituar teren, të paktën, për të mbijetuar në politikë. Kjo ndoshta edhe sepse, ai që është edukuar se pushteti i takon pa meritë, e bind veten se çdo lloj zgjedhjesh i ka të fituara. Me këtë optimizëm fals, Rama me neobllokmenët synojnë të sugjestionojnë veten dhe elektoratin e tyre, të pikëlluar, duke i krijuar atij dhe vetes iluzionin se nuk mund të dalin kurrsesí humbës. Prandaj janë sulur me tërbim të “vërtetojnë” se mazhoranca, e gërryer, sipas tyre nga korrupsioni, na paska dështuar në të gjitha drejtimet. Dhe shpifjet e tyre kanë marrë përmasa téjet të turpshme, sidomos kur kanë arritur të ulëríjnë sikur kjo mazhorancë nuk dashka as integrimin e vendit në B.E. Shkurt, sikur ky koalicion punoka kundër programit të vet prioritar, me qëllim që të vijnë kështu në pushtet myteberët e Bllokut famëkeq.(!) Prandaj Rama me taborin “miliardero-neobllokmen” klith sikur i kanë të fituara zgjedhjet e vitit që vjen. Ndaj merren énkas me fiksióne, krijime qeverish fantazma, duke reklamuar aftësínë e hajdutëve të tyre me çizme si ajkë personalitetesh, që do ta shpëtokan vendin nga katastrofa e këtij zhvillimi të vrullshëm ekonomik ! Dhe bëjnë sikur harrojnë që njerëzit i njohin e i kanë parë, kur këta “bimbashë” qenë për tetë vite në pushtet; kur nuk lanë pasuri pa vjedhur dhe të drejtë qytetare pa shkelur. Megjithatë, dështakët përpiqen t’i fshihen edhe vetes, kur si ai struci që fut kokën në rërë, llomotisin se qënkan etalon i pastërtisë, duke u mburrur deri në absurdin se Historia lypset t’i numërojë ditët e saj nga ardhja e këtyre obskurantistëve në pushtet.(!) Dhe brezi i dytë i nomenklaturës enveriste, aq shumë është kapur me thonj e me dhëmbë pas këtij pushteti imagjinar, sa po bën çmos të përfitojë madje edhe nga fatkeqësítë natyrore, për të nxjerrë ndonjë kapital politik. Kurse kundërshtarin e shajnë dhe e mallkojnë si shkaktarin e krijimit të këtij të nxehti të padurueshëm, a të mungesës së rënies së shiut, të përmbytjeve, apo si autorin e vdekjeve natyrale; madje dhe si frymëzuesin e djegëjeve, që, siç po del, na qënkan vënë nga militantë të thekur të P.S.-së. Prandaj, të gjitha klithmat e këtyre “kasnecëve” gënjeshtarë nuk janë veçse një lloj “hakmarrjeje”, që buron nga dëshpërími i mungesës së shpresës për të ardhur ndonjë ditë në pushtet. Dhe Rama me neobllokmenët, tok me miliarderët e trembur nga heqja e imunitetit, po bërtasin për “fitoren” e tyre të sigurtë, pikërisht pse kanë humbur çdo shpresë që mund t’i votojë elektorati i tyre i zhgënjyer. Por, meqë ndihen të “salduar” në opozitë, kanë nxjerrë nga bodrumet e mykura të Bllokut teorinë e diktatit të pakicës mbi shumicën. Prandaj përdorin sot taktikën e “kushteve” e të bllokimit të reformave. Dhe duket sikur u thonë shqiptarëve: “Doni të shiheni me sy të mirë nga Europa dhe Bota ? Na jepni neve pushtetin në tavolinë! Sepse vetëm ne kemi lindur për të drejtuar, edhe kur nuk ju bëjmë një premtim se do të mund të qeverisim ndryshe!” Dhe vazhdojnë ta paraqesin “fitoren” e tyre si të garantuar, sepse, edhe si pakicë që janë, u takoka e drejta të sundojnë. (!) Dhe ky është mesazhi i tyre i vjetër i “revolucionit”; ai mentalitet cinik enverist, që gjëmoi i frikshëm 50 vjet për suksese e fitorie, kur uria merrte jetë njerëzish dhe burgjet mbusheshin me të pafajshëm, si “kurbanë” që duhej të shërbenin për të mbajtur gjallë “shpresën” e dështakut komunizëm.
Ideja e së drejtës së pakicës për të sunduar mbi shumicën u buron neobllokmenëve nga teoria e marrjes së pushtetit me dhunë. Ndaj miliarderët socialistë, tok me neobllokmenët, aq shumë po gajasen duke nanuritur idenë se pa `ta vendi merr fund, sa besojnë vërtet që ky popull do t’i votojë, edhe pse gjithë kohën në opozitë si bllokatorë nuk dhanë një shenjë se mendojnë vërtet për popullin. Mirpo Shqipëría nuk mund të presë kurrë drejtësi nga dhunuesit e lirisë, as pendesë nga ata që edhe sot akuzojnë si tradhëtarë patriotët e mëdhenj dhe apostujt e shqiptarizmës !...