Ende me përnjollosje, me rastin e festës së 100-vjetorit?
Ditët e festimit të kësaj feste të madhërishme janë drejt mbarimit. Ndërkaq po shohim një dukuri anakronike: Keqardhje nga disa nostalgjikë të një sistemi që mori fund njëherë e mirë, që shprehet nga disa historianë të asaj kohe, se Enver Hoxha „po denigrohet dhe po mohohet“. Në një artikull kemi këtë okielo, me shkronja të mëdha: “Nuk është e drejtë që njëri të ngrihet në piedestal dhe tjetri të denigrohet e të mohohet“. Njëri – është Ahmet Zogu I. Tjetri – është Enver Hoxha. Titulli, me shkronja më të mëdha, akoma: Zogu, Hoxha dhe 100-vjetori“. Dhe, sikur të mos dallohet me kaq synimi i këtij shkrimi, shohim më poshtë, me shkronja kapitale: „Historiani Xhelal Gjeçovi flet e analizon dy figurat historike, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë“. Ky shkrim i shkurtër, quhet analizë ekskluzive dhe autori paraqitet si një historian i njohur. I njohur që në kohën e diktaturës, kur historiografia ishte një fotokopje besnike e mendimeve kundërthënëse të Enver Hoxhës? Këtij të fundit i bëheshin lavde gjer në grotesk: „Marrsh nga ditët tona!“. Ndërsa Zogu duhej përbaltur e mallkuar, paçka se e kishte në dorë që Enver Hoxha të mos kapardisej në Konsullatën e Konsullit të nderit Marothy, por të mbetej në njërën nga alternativat: Ose të vazhdonte marrjet e borxheve të pashlyera prej shqiptarëve të Francës dhe të Belgjikës që e trajtonin njerëzisht (pastaj i vrau dhe i sakatoi burgjeve); ose të vinte në Shqipëri dhe të lihej pa punë. Apo s’e kishte në dorë „regjimi tiranik“ i Zogut që ta bënte një gjë të tillë? Atë tjetrën, që ta bënte të pohonte fajësira të paqena dhe krime fantastike, nuk e kishte në dorë, ç’është e vërteta. Sepse kishte bërë vetëm një gjyq politik, me dënime 2-4 vjet privim lirie (gjyqi i Qemal Stafës, Zef Malës etj), me të pandehurit që u liruan në prag të pushtimit të 7 prillit të 1939-s).
Mund të citojmë nga ky artikull i shkurtër disa pjesë: “Enver Hoxha duhet të ketë një monument në vendlindjen e tij”. Na kujtohet Namik Hoti që na jep mundësinë ta marrim edhe me shaká: Ai donte t’ia bënte prej floriri! U harrua që statujat dhe bustet iu rrëzuan diktatorit stalinist nga uragani popullor në të gjitha krahinat, duke përfshirë edhe Gjirokastrën! “Analiza” vazhdon me anatemat shabllone kundër Zogut me Shën Naumin, pa marrë mundimin të citohet dokumenti me firmën e Mehdi Frashërit, që të bën të meditosh sërish për shformimet e diktaturës, me firmën e Enverit! Mund të citohen “borxhe marramendëse” përkundrejt Italisë, kur Aleksandër Lesona dëshmon se Zogu nuk kishte mundur të paguante ushtarët prej tre muajsh. Flitet edhe për “largimin e padenjë” të Zogut, kur të gjithë monarkët u larguan, në shenjë mospranimi të agresionit. Leopoldi III i Belgjikës, që nuk u largua, ra në dorë të gjermanëve. Dhe e pagoi shtrenjtë. Abdikoi, por monarkia mbijetoi. A e ka lexuar “profesori analist”, librin e Gunnar Riebsit “Një princ në bregun e kaltër” që i kushtohet këtij princi që dha një ndihmesë të madhe për shpëtimin e Monarkisë Belge? Libri është përthyer në shqip nga Sh.B. “55” dhe do ta kthjellonte boll analistin në fjalë për akuzat për “ikje”, që jo vetëm Lesona, por edhe Jakomoni e quajnë një akt proteste kundër pushtimit veprimin e monarkut shqiptar. Tjetër punë ajo, se nostalgjikët e Enverit mbështeten tek aventurieri Galeaco Çiano, që u pushkatua për aventurat e tij politike. Me ekzekutim prapa shpine!
Shpifjet e analistit vazhdojnë edhe më tej. Citojmë: “Ahmet Zogu nuk ishte themelues i shtetit shqiptar, siç përpiqet ta paraqesë propaganda qeveritare”. Le të përmendet me emër se cili e quante kështu. Mos të na e politizojnë historinë me “propagandë qeveritare”; sepse mund t’i përgjigjemi kësaj shprehjeje me propagandën opozitare të sotme të kreut të opozitës, pavarësisht se dikur ishte bërë i pabesueshëm me nxjerrjen e PS-së emërndërruar jashtë ligjit, me luftën civile, me varjen në litar të veteranëve, - që të mos themi edhe të tjerat – për të cilat u dënua me vdekje nga enveristët e Smokthinës! Apo nuk i kanë lexuar inkoherencat e Edi Ramës në “Refleksionet” që, pasi i zhduku nga qarkullimi, na kujtohet t’i quajë sërish “Refleksionet e famshme” në librin e tij të dytë, me titull oriental. Pavarësinë e jetësoi Ismail Qemali. Aluzionet që t’i bëjnë ortak aktit të madhërishëm të I. Qemalit, janë meskinitete propagandash, në unison me historiografinë demagogjike të E. Hoxhës. Zogu e konsolidoi shtetin, meritë e Plakut të Vlorës, jo vetëm me veprimtarinë e tij në Kongresin e Lushnjës, por edhe me kohën e presidencës së tij, si edhé me veprimtarinë si mbret. Pas anarkisë, vjedhjeve, turbullirave, erdhi një vendosje e qenësishme e rregullit, rendit kundër banditizmit, krijimit të institucioneve shtetërore, vendosjes së gjykatave, vendimet e të cilave shoshiteshin në Revistën Jurisprudenca Shqiptare. Vendimi i gjykatës u hodh poshtë prej Thoma Orollogait, në krye të Diktimit, në favor të fshatarëve të Starovës. U bënë përpjekje për një shtet ligjor. Një fjalë e vetme, -“themelues” i Shtetit shqiptar, - është e qëllimtë, duke hequr qëllimisht mbiemrin “ligjor” . Erdhi një kohë që fshatarët dilnin te komshinjtë, duke e lënë shtëpinë hapur...
Sa për atë “dënime të ashpra (të Enverit dhe të Zogut!), me ndalim të çdo mendimi (...) që mund të rrezikonte pushtetin e tyre(!)” (cituar), t’i vësh në një rang, është vazhdimi i panegjirizmit të diktaturës enveriste përmes barazitarizmit të kohës së diktaturës. Buletini jeshil, i grupit të Shkodrës, dilte thuajse hapur. Siç dilnin edhe veprat e Gorkit (“Nëna, e përkthyer nga Tajar Zavalani, ekspozohej lirisht nëpër vitrinat e librarive). Revista e Branko Merxhanit përmbante debate filozofike rrymash të kundërta. “Revista Bota e Re” kishte firmat e atyre që përfaqësuan gazetarinë e parë pas Luftës (Q. Stafa, Sh. Musaraj, Dh.S.Shuteriqi, A. Çaçi, P. Marko, Veli Stafa (Platonicus)... e të tjerë). Ministrat kritikoheshin për një abuzim të mundshëm apo që duhej verifikuar. Kurse Enveri të merrte shpirtin për një mendim konservator në kohën e plenumit të liberalizmit dhe anasjellas! Poetët Vilson Blloshmi, Genc Leka, N. Mehqemea, Trifon Xhagjika, Ndré Zadeja.. hëngrën plumbin kot më kot. Deputetët nacionalçlirimtarë u dënuan me vdekje, se kërkuan qoftë edhe një minimum pluralizmi në Kuvendin që u shndërrua në një telekomandim ngritje duarsh për miratim! Ndërsa Zogun e qëlloi me revolver në Parlament Beqir Valteri dhe nuk u dënua. Atentatin ia bënë komunistët, Valterit! Përse u dënuan me burg dhe me internim Dhimitër Xhuvani dhe Minush Jero? I pari për një roman: (Tuneli). I dyti për “Njollat e Murme”! Po Ramize Gjebrea a do të pushkatohej, po të mos kishte folur kundër Dushan Mugoshës dhe mos të përçohej ky mendim i saj atje ku nuk duhej? Ç’faj kishte bërë Musine Kokalari, që e kaloi jetën burgjeve dhe internimeve në veri të vendit tonë dhe nuk gjeti vend në spital për një sëmundje të pashërueshme? Do të zgjateshim shumë për krimet ndaj kundërshtarëve dhe brenda radhëve, të akuzuar për komplote të paqena.. Nuk ka ndodhur në asnjë vend demokratik që të kërkohet përmendore për një stalinist!
Për më tepër, po ia lëmë fjalën diplomatit rumun Gheorghe Micu, që i njeh mirë problemet tona historike, meqë kishte shërbyer në ambasadën rumune në Tiranë.
***
“Nëse gjatë luftës sakrifikuan jetën 28.000 shqiptarë, në kohën e Enver Hoxhës numri i të persekutuarve dhe atyre të asgjësuar e tejkaloi shumë këtë shifër. Enveri inicioi dhe mbështeti një terror të ashpër policor kundër popullit të vet. Askush nuk e dinte se kur dhe kush e kishte radhën për t’u arrestuar, për t’u dënuar apo ekzekutuar”. Duke folur për Nexhmijen autori rumun thotë se “politika e ndjekur nga bashkëshorti i saj ishte edhe më e ashpër se politika e ndjekur nga Çaushesku në Rumani”. Më tej Gheorghe Micu vazhdon me kohën kur i paraqiti letrat kredenciale Ramiz Alisë. Ramizi e kishte pyetur sesi në Rumani, kur ishte në pushtet PK, menjëherë e larguan nga pushteti regjimin 50-vjeçar në fuqi: “Në këtë pyetje të tij dalloja shqetësimin e tij për gjendjen në Shqipëri dhe, në veçanti, për të ardhmen e tij dhe të Nexhmijes. Pas ’90-s R. Alinë ambasadat e vendeve ish-socialiste nuk e ftuan asnjëherë në pritjet e tyre, siç bëri edhe ambasada rumune”. Kemi edhe citime të tjera, për kohën kur Enveri iu kundërvu sovjetikëve, jugosllavëve dhe kinezëve: “Ai u vetëkonsiderua si marksist-leninisti më i madh i të gjitha kohërave . Ai nuk ishte i tillë as në vendin e tij. Ishte një mbrojtës i flaktë i Stalinit. Asnjëherë nuk i dënoi krimet e tij. Sepse ai vetë, në raport me numrin e banorëve të Shqipërisë, kishte kryer krime më shumë se vetë Stalini”. “E. Hoxha- vijon diplomati rumun, - ka qenë kontradiktor dhe, për këtë arsye, historianët shqiptarë kanë detyrën , por edhe detyrimin, t’i zbulojnë fytyrën këtij lideri komunist. E kam fjalën tek ashpërsia ndaj atyre që kishin pikëpamje të tjera nga ato të tijat dhe që bëheshin “armiq të popullit” . Këtu autori bën paralelizmin me regjimin e Çausheskut dhe arrin në përfundimin se “ regjimi i Çausheskut gëzonte më shumë liri e të drejta që do të ishin të pakonceptueshme në Shqipëri”. ( E.H. na dalka jo vetëm një Stalin që ka bërë krime më shumë se Stalini, por edhe më i keq se Çaushesku! Si pasojë, - që të vijmë te statujat e E. Hoxhës, me rastin e përurimit të 100-vjetorit të Pavarësisë – nëse në Rumani askush nuk propozon përmendore për Çausheskun, këtu në Shqipëri as që duhet të na shkojë ndër mend për gjëra të tilla të një personi të krahasuar me Stalinin e me Çausheskun!). Për krahasimin e dytë, autori jep këtë shembull në vetë të parë: “Kur unë u thosha (shqiptarëve) se në vitin1959 kisha një xhaxha, vëllanë e babait tim, të dënuar me 16 vjet burg, më përgjigjeshin sesi ishte e mundur që të isha diplomat në Titanë!”. Në Shqipëri një gjë e tillë do të ishte e pakonceptueshme – sipas diplomatit Gheorghe Micu.
Kuazimodósë së “Notre Dame de Paris”, nuk do t’ia drejtonte kurrizin as pllaka e varrit, sipas Viktor Hygoit. Nostalgjikët tanë të historisë në vlerësim të diktaturës dhe të diktatorit, i mban shpresa se do të mund t’i ngrihej një statujë Enver Hoxhës, paçka se ky e kishte për nder që ishte një Stalin i vendit tonë! Mos i rren mendja këta propagandistë se në komunitetin europian, ku shqiptarët dëshirojnë të shkojnë thuajse tërësisht, do të rehabilitojnë Stalinin?