Paradoksi i PS per Administrativen

Në draft ishin përfshirë gjithashtu një numër i madh amendimesh nga Partia Socialiste, por kjo e fundit për motive krejt të tjera politike la vendin pa Gjykatën që do të zgjidhte në një kohë të shkurtër mosmarëveshjet mes biznesit dhe shtetit.
Opozita sot i është rikthyer diskutimit dhe qëndrimit të saj pro, por duke u përpjekur ta sfumojë bllokimin trevjeçar me një sforcim të madh se do të marrë parasysh atë çfarë biznesi do, kur në fakt biznesi ka tre vite që është aty, ku opozita refuzonte të ishte.
Ngjan paradoksal ky angazhim i opozitës, kur nga ana tjetër e pohon qartë se drafti nuk ka nevojë për ndryshime thelbësore.
Por tashmë, pas tre vitesh bllokim politik, PS po dëshmon se më shumë se e i interesuar për të ndihmuar biznesin, është e interesuar për ta marrë flamurin e atyre që po bëjnë vendin me Gjykatë Adminisrative. Është kjo gjykatë që Rama paradokohësh do ta shpërfillte bashkë me thirrjet e biznesit, teksa e cilësonte thjeshtë si një tjetër hallkë të korruptuar që do t’i shtohej gjyqësorit shqiptar. Por shpërfillja e biznesit është vetëm njëri dëm që PS bëri me bllokimin e projekt-ligjit për Gjykatën Administrative.
Nëse ky dhe ligjet e tjera me shumicë të cilësuar votash nuk do të bllokoheshin politikisht Shqqpëria do të kishte sot legjislacionin e duhur dhe statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Evidencat statistikore
Sipas nenit 6 të ligjit për Gjykatën Administrative kompetencë e kësaj gjykate janë shqyrtimi i të gjitha mosmarrëveshjeve administrative pavarësisht nga forma e lloji. Po ashtu, kompetencë e Gjykatës Administrative janë marrëdhëniet kur punëdhënësi është organ publik si dhe aktet normative të qeverisë apo njësive vendore, çështje të cilat në gjykatën e shkallës së parë të Tiraneë rregjistrohen me mijëra. Kështu nga 1 janari i këtij viti deri në datën 13 mars në evidencat statistikore të gjykatës së shkallës së parë rezultojnë 2831 çështje administrative të shqyrtuara, nga të cilat 2252 janë të mbartura nga viti i kaluar. Janë trajtuar padi për shfuqizim ose ndryshim të akteve administrative rreth 2666 çështje në total nga të cilat janë mbartur 2087, ndërsa padi për refuzim të akteve administrative janë trajtuar 165 nga të cilat 158 janë të mbartura nga viti i kaluar. Ndërkohë që vetëm për tre muajt e parë të këtij viti janë shqyrtuar rreth 152 çështje tregtare nga të cilat 126 janë të mbartuara nga viti i kaluar. Gjyqtarët e Gjykatës Civile të kryeqytetit përballën çdo ditë me mbi ngarkesë të çështjeve që trajtojnë dhe kjo sjell që shumë prej këtyre çështjeve zvarriten pa fund.