Realiteti i një vizioni
nga Ferdinand Murati
Duhet thënë se këmbëngulja konsiston në thithjen në radhët e PD-së të asaj shtrese, që nuk e sheh aderimin në një forcë politike si një vend plotësimi ofiqesh, por si një organizëm që premton ndryshimin dhe të ardhmen e sigurt
Në jetën e përditshme përballemi me realitete të ndryshme, pozitive ose negative, të cilat vijnë si rezultat i vijueshmërisë natyrale të shoqërisë që kemi ndërtuar ose artificiale, e cila reflektohet në stonimin e ekuilibrit paraardhës.
Nuk është e çuditshme që konceptimi i këtyre realiteteve sa më shumë kohë kalon aq më i lexueshëm bëhet nga njerëzit. Aq më shumë që realiteti që jetojmë përditë është më i hapur dhe çdokush mund të shprehë atë që ndjen për atë që ndodh.
Për çfarë realiteti bëhet fjalë, ku dhe kur?
Në një qytet heterogjen si Fieri me një potencial të lartë ekonomik dhe intelektual, ku erëra të ndryshme politike apo sociale kanë ndikuar në relievin psikologjik të qytetarëve, është e vështirë të formosh opinion.
Fakti është që më 3 korrik 2005, me triumfin e PD-së, në këtë qytet fillon të fryjë intensivisht një erë e re politike në zhvillim progresiv. Kjo erë e re nisi dhe u reflektua pikë së pari në radhët e PD-së lokale. Ndryshimi i kësaj të fundit u shfaq kur ndryshuan strukturat drejtuese, por edhe mënyra e funksionimit të këtij institucioni, pikërisht në zgjedhjet e vitit 2007 e deri më sot, ku dega e PD-së lokale është kthyer në një institucion me funksion të mirëfilltë politik.
Kohëzgjatja e funksionimit lidhet direkt me mënyrën e saktë organizative, si dhe me frymën e re të ndryshimit që erdhi nga një reformatim i anëtarësisë dhe kryesisë së saj, duke u bazuar në kontributin dhe vlerat e pazëvendësueshme të anëtareve të vjetër të PD-së.
Natyrisht drejtimi dhe funksionimi i degës PD Fier gjykohet mbi bazën e rezultateve që u arritën në fushatën zgjedhore të pushtetit lokal dhe atij qendror.
Kandidaturat për kryetarët e njësive vendore që garuan në 2007 kanë marrë 8.500 vota më shumë se kandidaturat që kandiduan në vitin 2003. Duhet theksuar se në 2007, e djathta ka fituar 7 njësi të qeverisjes vendore në mënyrë të drejtpërdrejtë ose 6 njësi më tepër se në vitin 2003. Rezultati kalon nga 13 me 1 për të majtën, në 7 me 6 për të djathtën, dhe një njësi vendore fitohet nga një kandidat i pavarur vetëm me një diferencë prej 7 votash nga kandidati i PD-së.
Si rezultat i mirëfunksionimit dhe punës organizative të strukturave të PD-së u arrit që të anëtarësohen dhe të gjejnë veten, brenda kësaj force politike të rinj dhe intelektuale të diplomuar dhe të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit. Kjo arritje kishte dhe ka për qëllim rifreskimin konstant të strukturave, duke sjellë një frymë të re, një vizion të ri për një realitet sa më të mirë në funksion të forcës politike të PD-së, por mbi të gjitha në funksion të mirëqenies të qytetarëve fierakë.
Anëtarësimet e reja në PD Fier gjatë dy viteve të fundit përbëjnë 33 % të gjithë anëtarësisë aktuale të degës. Nga këta, 26 % janë me shkollë të lartë dhe shumica janë mosha deri në 35 vjeç.
Rezultati i mirë në proporcional gjatë zgjedhjeve lokale të 2007 u reflektua pikërisht në zgjedhjen e një numri më të madh të këshilltarëve të djathtë, në total krahasuar me ata të majtë, gjë që bëri të mundur zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Qarkut nga radhët e PD-së.
Për Bashkinë e Fierit ku konkurruan 4 kandidatë (PD, PDI, PBDNJ dhe PS) pavarësisht konkurrencës me kandidatët e koalicionit qeverisës, kandidati i PD-së ka marrë rreth 2.400 vota më shumë se në vitin 2003 dhe është rritur niveli nga viti 2005. Këshilli Bashkiak kalon nga 21 me 14 për të majtët, në 18 me 17.
Aktualisht PD ka dhe kryetarin e këshillit të bashkisë, si rezultat i bashkëpunimit të PD-së me grupimet e tjera politike.
Ngarkesa e ideve dhe pikësynimeve është shndërruar në obligim dhe puna është reflektuar në rikthimin e vlerave dhe të besimit. Rezultatet duken jo vetëm në shtimin e anëtarësimeve, por edhe në organizimin real të strukturave jo vetëm në qytet, por edhe në komuna. I dukshëm është rizgjimi i tyre, sepse pasqyrohet në transformimin politik në zgjedhjet lokale, ku shumë komuna të përgjumura për vite me radhë, zgjohen të ngjyrosura blu.
Komuna Cakran (e quajtur “bastion i majtë”) në shkurtin e vitit 2007 arriti jo vetëm të përmbysë rezultatin, por të japë një shembull pozitiv edhe për degën e PD-së, e cila ishte në valën e riorganizimit të saj. Puna e nëndegës së kësaj komune, e mbështetur në mënyrë të pandërprerë nga kryesia dhe dega e PD-së Fier, bëri që kjo komunë të fitohej nga kandidati i PD-së me 1700 vota më shumë se rivali i të majtës.
Komuna Kuman, e cila ne 2003 fitohej nga kandidati i majtë me diferencë 600 vota, në 2007 fitohet nga kandidati i PD-së me 1400 vota më tepër.
Në Komunën Ruzhdie, kandidati i PD-së fiton me 80% të votave. Nuk mund të lëmë pa përmendur fitoret e PD-së në komunat Strum, Levan, Dermenas dhe Mbrostar.
Në komunën me më pak vota të djathta, atë të Topojës, PD arriti të dyfishojë votat në krahasim me zgjedhjet e vitit 2003, apo t’i katërfishojë me ato të vitit 2005. Potenciali transformohet në konkretizim, thjesht dhe me elasticitet, duke u ulur në nivelin e shtresave me ekzigjenca të ndryshme, në zona të ndryshme. Përshtatja me këto shtresa shkurtoi distancat deri në padukshmëri.
Çdo jave në protokollin zyrtar të degës është regjistruar të paktën një aktivitet përgjatë dy viteve të fundit. Këto aktivitete përfshijnë mbledhje me strukturat, duke filluar nga komiteti drejtues, kryesia, nëndegët deri në seksionet e fshatrave. Aktivitete me Lidhjen Demokratike të Gruas dhe Forumin Rinor të PD-së. Takime me drejtues të pushtetit lokal, drejtues të ndërmarrjeve dhe institucioneve, takime me drejtues të departamenteve dhe grupeve të punës të ngritur pranë kryesisë së PD-së.
Në zbatim të një procesi rigjenerues, mjaft anëtarë të PD-së, drejtues të institucioneve shtetërore humbën postet që mbanin. Mesazhi që PD e Fierit përcjell për këta intelektualë, është se shkarkimet nga detyra nuk do të thonë largime nga strukturat e PD-së. Ato kane ndodhur në një fazë rikonstruktive, duke bërë shkëmbimin e nj]ë pune jorezultative; me novatorizmin e nje pune rezultative që premton më shumë efikasitet.
Por ç’është e nevojshme që të arrihet një objektiv final? Nuk është nevoja të bërtasësh fitore, kur tashmë atë e ndjen si bashkudhëtarë. E nevojshme është të shikosh të nesërmen, duke shfrytëzuar përvojat, qofshin ato pozitive apo negative, në dobi të qëllimit. E rëndësishme që në momente riorganizimi apo fushata zgjedhore të mos tentohet kapja e një pozite, duke përdorur “atributet politike”, pa pyetur vetveten se ç’vlera ke dhe ç’kontribut ke dhënë.
E rëndësishme është që të shohësh në sy të rinjtë e shkolluar, në Perëndim apo këtu, dhe t’i integrosh në çdo strukturë, duke harmonizuar të renë me eksperiencën. Këtu shihet një e ardhme e sigurt e PD-së, këtu shihet hapja e saj deri në vlerësimin dhe marrjen për bazë të një kërkesë më të drejtë dhe konkrete që bëhet nga të rinjtë.
E rëndësishme është të dish të bashkëpunosh edhe me forca të tjera politike me marrëveshje permanente në interesat e palëve, por edhe të qytetarëve. Këta të fundit kanë gjetur gjithmonë derën hapur tek PD dhe kanë shprehur atë që do të donin të realizonin bashkë me këtë forcë politike.
E rëndësishme është të dish të thithesh inteligjencën dhe kulturën, duke hequr syzet e politikës.
Mesazherët regresivë transmetojnë intrigë, ligësi dhe injorancë. E rëndësishme është të triumfosh mbi ta. Ruajtja e ekuilibrave brenda niveleve drejtuese të degës lokale të PD-së, të çdo seksioni, madje edhe të anëtarit apo militantit të thjeshtë, ka qenë e rëndësishmja e këtij revanshi pozitiv të forcës të së ardhmes.
Por më e rëndësishmja është transformimi i civilitetit, kulturës, inteligjencës në arme për mposhtjen e dhunës, degradimit, falsitetit që janë pjesë përbërëse e një personi apo grupi me një kulturë primitive me interesa meskine ndaj një force politike që emeton paqe dhe progres. Debati që nga dritëshkurtrit është marrë si arrogancë, ka sjellë vazhdimësi, ka sjellë realizim të synimeve të para dhe themele të sigurt të një mbarëvajtjeje të vazhdueshme të shoqëruar, pa dyshim me fitore dhe arritje konkrete.
Gjithçka më sipër që është e rëndësishme është fakt i kryer në Fier. Opinioni publik qytetar kupton, percepton dhe krijon diferencat midis të mirës dhe të keqes, realitetit dhe falsitetit, transparencës dhe turbullirës; për të shkuar drejt zgjedhjeve të 28 qershorit me erën politike që premton një të ardhme me zhvillim të mëtejshëm progresiv.
Mungesa e besimit të dikurshëm tashmë është shndërruar në një besim absolut dhe shtimi gjithnjë e më shumë i tij është evident. Besimi nuk ekziston vetëm tek një njeri, por tek e gjithë ajo shtresë e së djathtës dhe e PD-së, që kërkon dhe meriton historinë e PD-së së Fierit dhe që e mbron atë që ka realizuar dhe do të realizojë me shifra dhe fakte.
Kryetar i PD-së së Fierit