Paradoksi i mosnjohjes së Kosovës nga vendet islamike
Lexova një koment shumë të mirë lidhur me paradoksin e mosnjohjes së Kosovës nga vendet islamike: “...Mendoj se ka një papërgjegjësi në mënyrën se si po lobohet prej Shqipërisë pavarësia e Kosovës në vendet e Konferencës Islamike. Ministri ynë i Jashtëm, i lehtë dhe i papërgjegjshëm nga natyra, ka shtyrë disa herë me papërgjegjësi takimin me princin e Arabisë Saudite që udhëheq politikën e jashtme të atij vendi. Papërgjegjësia e tij personale në këtë rast është kthyer në papërgjegjësi kombëtare dhe në kemi një bilanc të hidhur nga vende, për të cilat si argument kryesor në miqësinë tonë me ta kemi pasur ndihmën që do na japin për çështjen e Kosovës.
Sa herë që Berisha si ish-president apo diplomatët e tij kanë justifikuar anëtarësimin logjik në Konferencën Islamike, ka qenë fakti se kjo konferencë na jepte, sa here na duhej, votën pro për Kosovën. Në fakt, tani që na duhet vota pro e tyre, nuk e kemi, por kemi vetëm librezën e zverdhur të anëtarësisë, që pa këtë votë nuk na duhet.
Diplomacia jonë e ka banalizuar këtë proces deri në detaje, duke krijuar një gjendje as miqësie dhe as armiqësie me vende, të cilat kanë një peshë të madhe në historinë botërore, si atë politike, dhe ekonomike. E vetmja vizitë e nivelit të lartë në botën arabe është bërë nga Kryetarja e Kuvendit, por ajo nuk ka as fuqinë, as aftësinë dhe as kompetencat të kuptojë dhe shpjegojë pse na pengon Rusia apo Egjipti. Asaj i interesojnë vetëm kronikat, që një grua pa shami takoi ca burra myslimanë me shami dhe kaq. Por lobimi në emër të shtetit shqiptar do seriozitet dhe institucione dhe jo iniciativa të shpikura si diplomaci parlamentare.
Dhe, së fundi, duhet të ndjehemi pak keq që atë që nuk e bëjmë ne, na e bëjnë shtete perëndimore, si SHBA, Britania e Madhe apo Gjermania. Diplomatët e këtyre vendeve në Konferencën Islamike janë të angazhuar përditë për të lobuar për pavarësinë e Kosovës pa asnjë kompleks...”