E Shtunë, 31 Tetor 2026

Degjenerim i demokracisë

SITUATA NË MAQEDONI

Maqedonia e sotme është një shembull sesi mund të degjenerohet demokracia dhe të ringjallen praktikat etnocentrike, sesi nëpërkëmben të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe sesi dhunohet parlamentarizmi.

Realiteti paszgjedhor është i zymtë, ngulfatës dhe izolues.

Në kushtet e antagonizmave të të thellë pozitë, opozitë, të luftës së gjelave, kryeministër -president, ne rrethanat e mohimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve, në kushtet e riciklimit të ideologjisë etnocentrike, nuk mund të flitet për funksionim normal të marrëdhënieve ndëretnike, madje as për fqinjësi të mirë apo për orientime euroatlantike.

Aktualisht është e domosdoshme që korrektorët ndërkombëtarë të ndërhyjnë energjikisht për t’i dhënë së paku një goditje logjikës refraktare, potencialisht të rrezikshme për kriza. Gjithçka duket ashiqare: shumica qeverisëse dhe parlamentare refuzon të njohë kodet, normat, moralin për të garantuar të drejtat kolektive të shqiptarëve. Ata nuk e venë ujin në zjarr, as për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët (njohja e pavarësisë së Kosovës nuk merret në konsideratë), madje as për problemin më të kushtueshëm dhe delikat, atë të zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë.

Maqedonia do të shkojë drejt degjenerimit të parlamentarizmit dhe demokracisë, përsa kohë që ligjet do të kalojnë pa debat. Askund nuk bën më vaki që stiva e ligjeve të zbarkojë në parlament në dosje të mbyllura dhe të votohen në kushte të tilla pa praninë e opozitës. Është rast ekzemplar në historinë botërore të parlamentarizmit që 124 ligje dhe 37 ndërhyrje "kirurgjikale" të votohen brenda dhjetë e kusur ditësh nga VMRO-BDI. Jo më kot, vëzhguesit e këtushëm, tani thonë që me parlamentarizmi në Maqedoni me pak lobing e ka kollaj të hyjë në librin Gines.

Ky rekord i paparë, në mënyrë paradoksale ka ndodhur në kushtet kur ende nuk ishin kopsitur letrat për të formuar qeverinë e re, në kushtet e një antagonizmi të thellë pozitë-opozitë, në rrethana krejtësisht të mistershme, pa debat paraprak, madje dhe pa u lexuar fare nga krahu shqiptar i deputetëve.

Më alarmantja dhe absurdja qëndron në faktin e votimit të një ligji që qëndron për afro 20 vite si çekiç te koka e Maqedonisë. Bëhet fjalë për ligjin e gjuhës shqipe i cili pësoi rrudhjen e përdorimit të saj dhe u votuan në kushtet e “teorisë së konspiracionit” në një kohë rekord. Fatkeqësisht askush nuk e mori guximin t’i parandalojë këto atentate kundër Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit. Ekipet e “shpëtimit” (korrektorët e huaj, shoqëria civile, mediat, medituesit e opinionit publik, ekspertët, vëzhguesit) edhe këtë radhë, heshtën.

Përmes këtij realiteti të përçudnuar krejtësisht antidemokratik dhe antishqiptar, duke u bazuar vetëm tek koha rekord dhe sasia dhe përmbajtja e ligjeve që u votuan, sinjalet janë qartësisht të kuptueshme: në Maqedoni po drejton një kastë politike me prirje diktatoriale dhe etnocentrike. Nëse vazhdohet me këtë logjikë, Maqedonia do të lëngojë nga “azma” e paranojave dhe frustracioneve. Prej këtij brumi që është sot në piramidën e qeverisjes, gatuhet vetëm krizë politike, institucionale dhe ndërnacionale. Në raste të tilla pasojat janë marramendëse për bazamentin e shteteve të brishta si Maqedonia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›