E Shtunë, 31 Tetor 2026

Binarë kancerogjenë nga Italia

HEKURUDHAT

Rreth 30 mijë binarë të rrezikshëm janë vendosur në të gjithë Shqipërinë. Ishin ndaluar të përdoreshin në Itali për shkak të efekteve anësore

Hekurudhat shqiptare të shtruara me binarë kancerogjenë. Janë të paktën 30 mijë copë të mbërritura nga Italia të cilat janë shtruar në rrugë të ndryshme hekurudhore gjatë këtyre 5 vjetëve. Skandali është bërë me dije nga mediatItaliane, ndërkohë që autoritetet shqiptare deklarojnë se nuk kanë asnjë informacion. Sipas mediave italiane, binarët kancerogjenë, të ndaluara për shkak të rrezikshmërisë së tyre në Itali, janë blerë nga shteti shqiptar me një çmim prej 10 dollarësh secilën. Madje bëhet fjalë edhe për marrëveshje dypalëshe në kuadër të ndihmës që Italia ka akorduar për Shqipërinë pas trazirave të vitit 1997.

Autoritetet shqiptare bëjnë të paditurin megjithëse skandali i traversave kancerogjene është kthyer në çështjen e ditës në Itali. Bëhet fjalë për binarët të cilat për shkak të rrezikshmërisë së tyre janë të ndaluara në Itali por që u janë shitur hekurudhave shqiptare. Lajmi është publikuar nga gazeta italiane “Gazzeta del Mezzogiorno" e cila bën me dije se pas skandalit të vagonëve hekurudhorë me amiant që iu dhuruan nga Italia Shqipërisë, në Tiranë kanë mbërritur edhe binarët kancerogjenë. Pikërisht ato binarë që hekurudhat italiane i kanë zëvendësuar me binarë betoni, për shkak të rrezikshmërisë së katranit, i janë shitur hekurudhave shqiptare me 10 dollarë copën. Sipas mediave italiane, gjatë vitit 2000 dhe 2002 hekurudhat shqiptare kanë blerë nga shteti fqinj rreth 30 mijë copë me një çmim prej 10 dollarësh secilin. Një trafik i vërtetë mes dy anëve të Adriatikut, që është kryer nëpërmjet detit dhe ku janë përfshirë edhe portet puljeze që u kthyen në pika të ngarkimit të binarëve të rrezikshëm. Shitje që hynte në programin e marrëveshjeve ndërkombëtare mes Italisë dhe Shqipërisë me qëllim që të ndihmohej Shqipëria në rindërtimin e rrjetit hekurudhor të shkatërruar 30- vjeçar. Një investim prej rreth 3 miliardë dollarësh me destinacion Tiranën e vitit 1997. Një ndihmë për të cilën kontribuoi edhe reparti i xhenios së ushtrisë italiane i pranishëm në Shqipëri me misionin e KFOR-it dhe që në vitin 2006 realizoi hekurudhën, që lidh juglindjen e vendit me kufirin maqedonas që është pjesa ballkanike e "Korridorit 8".

I njëjti mision që ka realizuar edhe lidhjen hekurudhore të Durrësit. HSH, hekurudha shqiptare, është një kompani me kapital publik e cila që në vitin 2005 është e hapur edhe për privatët. Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Transporteve, rrjeti i hekurudhës shqiptare është 447 kilometra i gjatë, me binarë druri, ato të shitura nga Italia, të cilave u shtohen edhe 230 kilometra në linja sekondare. Hekurudha ka 66 vagonë, të gjithë të dhuruar nga Italia në fund të viteve '90, 225 vagonë mallrash dhe 25 lokomotiva. Me të udhëtojnë rreth 2 milionë pasagjerë në vit. Përgjatë një rruge, e vetmja që mund të konsiderohet funksionale, që mbulon distancën nga Tirana në portin e Durrësit, dy qytetet ku është përqendruar pjesa më e madhe e popullsisë, kanë nisur që para dhjetë vitesh punimet e rikonstruksionit, që ende nuk kanë përfunduar. Çdo vit qeveria shqiptare shpenzon 4 milionë dollarë për aktivitetet e hekurudhave të saj si dhe investimet strukturore. Një sasi parash që nuk është e mjaftueshme, sidoqoftë, për modernizimin e rrjetit infrastrukturor, aq sa drejtuesit e hekurudhës së këtij vendi mbulojnë kërkesat me ato që ofron "tregu i elementëve të përdorur".

Kreu i Hekurudhave shpjegon se gjatë kohës që ai ka drejtuar këtë institucion nuk është bërë asnjë blerje e tillë

Ramadani: Nuk di gjë për binarët Italianë

TIRANË- “Nuk kam asnjë dijeni mbi binarët kancerogjenë të hekurudhave shqiptare”. Të paktën kështu ka deklaruar mbrëmë drejtori i hekurudhave shqiptare, Zamir Kapedani, mbi skandalin e binarëve. Ramadani mohon të ketë dijeni mbi marrëveshjet e bëra ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij Italian si dhe mbi blerjen e rreth 30 mijë binarëve kancerogjenë. “Në kohën qëjam unë drejtor, nuk është bërë asnjë blerje e tillë dhe unë nuk kam asnjë të dhënë mbi këtë fakt”,- ka deklaruar Ramadani. Madje drejtori i hekurudhave shqiptare thotë se nuk ka asnjë dijeni mbi këtë skandal edhe pse në shtetin fqinjë kanë nisur hetimet.

Traversat duhet të ishin asgjësuar prej vitesh por në fakt ato janë nxjerrë në shitje me çmime të ulëta

Prokuroria italiane nis hetimet për skandalin

Prej dy ditësh në gazetën italiane “La Gazzeta del Mezzogiorno” publikon faktet tronditëse të hekurudhave italiane, ku mijëra traversa kancerogjene qëndrojnë stoqe apo edhe janë ricikluar në vende të treta. Sipas kësaj gazete, e cila nëpërmjet një investigimi ka bërë me dije skandalin e binarëve, traversat ndodhen pothuajse në të gjithë jugun e Italisë, ndërkohë rreth 30 mijë të tilla janë shitur në Shqipëri me 10 dollarë copën. Po sipas kësaj gazete, aktualisht ekzistojnë në gjendje stoku rreth 16 mijë traversa kancerogjene. Vetëm në provincën e Barit ndodhen rreth 10 mijë të tilla. Ndoshta edhe më shumë. Në shkrimet e publikuara gjatë këtyre dy ditëve kjo e përditshme bën me dije se binarët prej druri kancerogjen ndodhen në zona si Bari, Terlizzi, Bitonto, Altamura, Molfetta, Torre, Gioia, Cassano e Modugno. Këto traversa qëndrojnë në gjendje stoku edhe pse aktualisht duhet të ishin asgjësuar. Kjo për faktin se në vitin 2001 Këshilli i Europës i ka certifikuar si të rrezikshme për shkak të përbërjes së tyre. Por ato që duhet të ishin asgjësuar janë nxjerrë në treg dhe blerës është vendi ynë. Por sipas këtyre shkrimeve, druri është përdorur për të realizuar rrugë, apo ura të vogla prej druri në kopshtet e vilave të zotërinjve, apo edhe kënde lojërash. Vetëm gjatë dy javëve të fundit Guardia di Financa ka kryer katër sekuestrime vetëm në territorin e Molfettës. Pas denoncimit të bërë në gazetën “La gazzeta del Mezzogiorno” prokuroria e Barit ka nisur hetimet penale duke u fokusuar mbi dëmet e shkaktuar nga ekzistenca e traversave kancerogjene të lëna stoqe në zona të ndryshme të Barit dhe të Pulias. Megjithëse deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar, mediat italiane bëjnë të ditur së është hartuar një listë e gjatë personash që do të merren në pyetje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›