E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: “Opozita të përmbushë detyrën në Kuvend - bojkoti qe i gabuar”

10-09-2011 / Gazeta 55

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OSBE-së Ian Kelly ka deklaruar pozicionin final të Uashingtonit në çelje të sesionit të ri parlamentar në Shqipëri. Ai ka konfirmuar nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, por gjithashtu ka theksuar se ngërçi i shkaktuar nga bojkoti i opozitës kishte ngadalësuar ritmin e reformave dhe procesin e integrimit në BE

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OSBE-së Ian Kelly tha se qeveria amerikane vazhdon të jetë e shqetësuar nga pasojat e ngërçit politik në Shqipëri pas zgjedhjeve lokale të majit që po pengojnë më tej reformat që duhet të kryejë Shqipëria për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.
Ambasadori amerikan i bëri këto komente dje gjatë takimit të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë. “Shtetet e Bashkuara përshëndesin vendimin e Partisë Socialiste për t’u kthyer në parlament. Uashingtoni, i bën thirrje Partisë Socialiste të përmbushë angazhimin e saj për një pjesëmarrje të plotë dhe aktive në parlament, si dhe i bën të njëjtën thirrje koalicionit qeverisës të krijojë një klimë politike më gjithëpërfshirëse”, është shprehur ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OSBE-së Ian Kelly.
Ambasadori amerikan, po ashtu shprehu shqetësimin e qeverisë së tij lidhur me korrupsionin në Shqipëri, që siç u shpreh ai, “vazhdon të mbetet problematik”.
“Disa hapa në drejtimin e duhur janë marrë, si përputhja e legjislacionit shqiptar me atë ndërkombëtar për antikorrupsionin, si dhe vendosja e sistemit elektronik të tenderimeve. Por, lufta kundër korrupsionit mund të ketë sukses vetëm në se palët nuk e përdorin atë për të siguruar përfitime partiake. Shqipëria, ka arritur përparime në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore”, ka thënë ambasadori amerikan në OSBE, Kelly.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, tha ambasadori amerikan në OSBE Ian Kelly, kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe të dy vendet janë të angazhuara t’i forcojnë më tej lidhjet mes qeverive dhe popujve të tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›