Parafushatën e nisin me yrysh

Akoma pa u shpallur data e zgjedhjeve lokale, partitë politike e kanë nisur parafushatën me yrysh. Pavarësisht se nuk kanë çka t’i thonë elektoratit, librezat partiake “po shkojnë si hallva”.
Ndonëse sivjet është vit i zgjedhjeve lokale, partitë politike tashmë kanë nisur fushatën elektorale edhe përkundër faktit se ato s’janë shpallur ende zyrtarisht.
Analistët politikë dhe ekspertet zgjedhorë konsiderojnë se partitë politike tentojnë që të prodhojnë lajm, sepse gjatë dy viteve të fundit kanë mbetur nën hijen e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe nën hijen e arrestimeve të fundit të të dyshuarve për krime lufte, shkruan Zëri.
Ata vlerësojnë se partitë politike kosovare së bashku me PDK-në nuk dinë më se ç’ka t’u thonë kosovarëve, sepse nuk janë reformuar. Madje sipas tyre, ato vetëm sa janë betonuar në aspektin e grupeve klientiste dhe nepotiste dhe asnjëra më s’paraqet lajm.
Analisti politik, Halil Matoshi, thotë se asnjëra prej partive s’paraqet lajm.
“Retorikat e LDK-së për rikthimin e frymës rugoviane dhe retorikat e forta të Lëvizjes Vetëvendosje s’e bindin askënd. AAK ka humbur shumë në identitet me faktin e afrimit të Ramush Haradinajt me Hashim Thaçin. PDK-ja është në kaos se kush mbështet Thaçin në bisedime e kush jo, se kush do t’i shkojë prapa Jakup Krasniqit e kush do t’i rrijë afër Thaçit. AKR po dezintegrohet”, ka thënë Matoshi./Indeksonline/