Komunat pushojnë kundërligjshëm

Komunat kanë shpallur pavarësi nga institucionet qendrore në aspektin e festave zyrtare. Pa pëlqimin e organeve më të larta të shtetit, ato janë duke shpallur ditë festive, ditët kur trevat e tyre janë çliruar nga Serbia.
Me këto veprime, ato për çdo vit po e shkelin ligjin për festat zyrtare në Kosovë. Madje me këto shkelje komunat kanë krijuar një konfuzion te qytetarët pasi nuk dihet saktë se në cilën ditë në cilën komunë nuk punohet.
Duke nisur nga 12 qershori e deri më 20 qershor komunat pushojnë nga një ditë në emër të “ditës së çlirimit”. Dhe në këtë periudhë disa komuna pushojnë të hënën, disa të martën e kështu me radhë, shkruan Tribuna.
I. Kallaba, një banor i fshatit Roganë të Kamenicës, ka shkuar të martën në komunë për të marrë një certifikatë të lindjes por kur ka shkuar para objektit e ka kuptuar nga një fletë e vogël e formatit A4 se komuna e ka pushim për shkak të ditës së çlirimit./Indeksonline/