E Diel, 1 Nëntor 2026

Paraguaj-Durrës-Rusi Bllokohen 2 kontenierë me mish me certifikata false

Autori i Lajmit: Redaksia

Dy kontenierë me mish dhe dhjamë gjedhi të ngrirë janë bllokuar në pikën e kalimit kufitar të Portit të Durrësit, pasi certifikata që shoqëronte ngarkesën ishte e destinuar për në Rusi. Lajmi konfirmohet nga burime që kanë inspektuar sasinë në fjalë, duke sqaruar se “në datën 10 mars 2010, në pikën e kalimit kufitar të Portit të Durrësit kanë mbërritur dy kontenierë që përmbanin respektivisht mish gjedhi të ngrirë në sasinë 27600 kg dhe dhjam gjedhi të ngrirë në sasinë 28400 kg, të zhdoganuara në doganën e Tiranës”. Bëhet me dijeni se nga verifikimi i certifikatave veterinare që shoqëronin produktin pranë Shërbimit Veterinar në Paraguaj, rezultoi se ngarkesa e dhjamit të gjedhit ishte lëshuar për mish të ngrirë pa kocka, kurse ngarkesa tjetër me mish ishte destinuar për në Rusi. Ndërkaq, autoriteti kompetent në Paraguaj konfirmon se firma e veterinerit zyrtar në të dy certifikatat është false. Nga ana e tij, Inspektoriati i Sigurisë Ushqimore së Tiranës ushtroi në datën 18.3.2010 kontroll në magazinat frigoriferike të kompanisë dhe konstatoi se dhjami i ardhur nga Paraguaj nuk gjendej në magazinë. Ndërsa, drejtuesit e kompanisë pretendojnë se e gjithë sasia prej 27600 kg është futur në përpunim për prodhim nënproduktesh me origjinë shtazore, kurse sasia prej 26450 kg mish i gjendur në magazine u bllokua. Thuhet se që nga data 6 mars 2010, në sheshin e kontenierëve në port gjenden tre të tillë me ngarkesë mishi të pashoqëruar me dokumentacionin, i cili garanton sigurinë e produktit (certifikatë veterinare) si dhe vendin nga janë nisur, dërguesin dhe kush është pritësi në Shqipëri. “Rastet e lartpërmendura përbejnë një shqetësim shumë të madh për sigurinë ushqimore, pasi janë mbartës të mundësisë së transmetimit të sëmundjeve që rrezikojnë shëndetin e konsumatorit shqiptar si dhe të kontaminimit të mjedisit”, pohojnë burime në Ministrinë e Bujqësisë lidhur me një fakt të tillë.

Ky lajm është publikuar: 25/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›