Paraguaj për miqësore, FSHF pranon kontaktet
Shqipëria mund të luajë kundër Paraguajt më 19 nëntor, në datën e lënë të lirë nga FIFA për ndeshje miqësore. Një gjë e tillë është pohuar dje nga presidenti i Federatës Paraguajane të Futbollit Juan Angel Napout, teksa është konfirmuar më pas edhe nga Federata Shqiptare. "Më 19 nëntor, mund të luajmë me Perunë, Izraelin ose Shqipërinë. Peruja luajti në Botëror, por as dy të tjerat s'i neglizhojmë dot", tha ai, i cituar nga siti i njohur sportiv "goal.com". Paraguaj është lideri i grupit eleminator të Botërorit 2010 për Amerikën e Jugut, duke lënë pas Argjentinën dhe Brazilin. Ndërkohë edhe FSHF ka konfirmuar kontaktet me Federatën nga Amerika e Jugut. "Jemi në bisedime, por nuk kemi konkretizuar asgjë. Në rast se do të luajmë kundër tyre, ndeshja do të bëhet në Shqipëri ose në një vend europian", tha shefi i zyrës së shtypit në Federatë, Tritan Kokona.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)