Paraja në qarkullim ka rënë me 600 milionë euro për 1 vit
Vlera e parave në qarkullim në Shqipëri gjatë vitit të kaluar pësoi për herë të parë ulje gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të fundit. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë thonë se vlera e parasë në qarkullim vjet ishte 161, 181.9 milionë lekë, ndërkohë që në vitin 2006 ajo ishte 168,254.9 milionë lekë. Pra, kemi një ulje të parasë në qarkullim vitin e kaluar në krahasim me një vit më parë me rreth 70 miliardë lekë ose me rreth 600 milionë euro. Të dhëna të bankës thonë se gjithmonë, çdo vit, vlera e parasë në qarkullim është rritur në vend, ndërsa në vitin 2007 dhe në pjesën e parë të këtij viti po ndodh e kundërta. Specialistë të Ministrisë së Financave thanë dje se kjo ka ardhur për shkak të daljes së madhe të parasë jashtë shtetit dhe për shkak të futjes së parasë në banka. Në të vërtetë, e gjithë kjo do të thotë se biznesi nuk investon në nivelet e kaluara. Gjithashtu, fakti që depozitat në banka janë rritur dhe fakti që vlera të konsiderueshme të parasë dalin jashtë vendit, e bën më të plotë panoramën e gjendjes së parasë. Çdo vit, që prej vitit 2000 të paktën, sasia e parave në qarkullim është rritur me 30 miliardë lekë, me 20 milionë lekë, me 25 miliardë lekë, por rënie nuk ka patur. Rënie në nivele të tilla prej 600 milionë eurosh asnjëherë nuk ka patur. E tërë kjo gjendje e parasë në banka dhe dalja e saj jashtë vendit në një masë të paqartë bëjnë që ekonomia të vihet në vështirësi. 600 milionë eurot e munguara në vitin 2007 do të ishin një shtysë shumë më mirë dhe nuk do të lejonin këtë rënie kaq të dukshme të fuqisë blerëse. Mjetet e vetme, me të cilat sasia e parasë në qarkullim mund të rritet, kanë të bëjnë me krijimin e mundësisë për biznesin që ai të investojë dhe jo të depozitojë në banka e as të nxjerrë pará jashtë vendit. Është e jashtëzakonshme që brenda një viti sasia e parasë në qarkullim të bjerë me këtë vlerë. Pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka rritur normën e interesit të depozitave, sasia e parave nuk mund të binte me këtë vlerë. Biznesi gjithnjë mund të fitojë më shumë nga përdorimi i parasë sesa nga depozitimi i saj në banka. Nuk mundet që biznesi të bjerë në këtë dëshpërim, ku brenda një viti dalin nga qarkullimi 600 milionë dollarë. Kjo sasi parash ka rrëzuar të gjithë fuqinë blerëse të vendit, pavarësisht se qeveria as që e ka idenë se si është kjo gjendje për qeverinë.