Njerëzit bosh
Njerëzit bosh nuk pranojnë lëvizjen. Ata duan çdo gjë të jetë statike; të nxejë vetëm dielli i tyre i vockël, nëse është e mundshme, uji kurrë të mos derdhet në mullirin e fqinjit. Ata më parë vdesin se rënia e tyre nuk shënon asgjë; janë të papeshë dhe trupa ku mund të përbirohet edhe bualli.
Mjeshtëria e tyre ka lidhje pakëz me fantastikën. Në mënyrë të çuditshme përbirohen deri aty ku mbaron ideali dhe fillon mjerimi i tyre shpirtëror. Dinë për mrekulli lojën e bërrylave, ndërskamcave. Por humbin kur zënë të luajnë kapuçash, menjëherë ua gjejnë kokrrën se janë transparentë. Aq kanë dhe aq mund të bëjnë në një kaos shoqëror, kur ata paraqiten dhe zënë vend pa e merituar; kur mashtrojnë e rrënojnë se janë grimca të një shoqërie, e cila i harron udhës.
A ka njerëz bosh në mes nesh?
Diç qesharake, të shtronim një pyetje të tillë. Ajo vërehet nga hekurosja e mendimeve dhe shprishja e shpirtrave; nga dirigjimi dhe lindja e susllovëve të rinj, që dele e dhi i ndajnë në pikë të natës me një fanar mesjete. “Vërtetimi” e “dëshmimet” e identitetit të mikut, fisit, farefisit, çatisë, mëhallës, gotës e ku ta di. Kryesore, as në këtë zeje nuk jemi të varfër. Ndoshta, dhe mund të prijmë, sepse çdo gjë e kuptuam, se triumfi i individit më parë varet se çfarë karrige ka: katërkëmbëshe, trekëmbëshe apo kunj.
Nëse të parët tanë besonin në diell e hënë, të sotmit besojnë vetëm në karrige e polemin rreth vetes; kuptohet të zgjedhurit e të fyerit, që një ditë padiktueshëm mund edhe të zhduken. Karrigia është shkaktari i lindjes së forcës së errët, totalitares, krimit. E kolltukofagët janë njerëz egocentrikë, narcisoidë, prejnë e qepin në mënyrën më të çuditshme derisa një ditë gërditen edhe nga vetvetja, tamam si ai kërmilli i Marin Soreskut.
Padiktueshëm zhduken ose bien. Kush? Pse? Askush nuk është në gjendje të japë shpjegimin. Në hijen e ndonjë rrapi apo muri kinez, e sheh si luhatet karrigia e gjorë. Të kujtohet mercenari, mizantropi, dallkauku, mashtruesi, hajni, llafazani, injoranti. Dhe, duke shikuar atë karrige si luhatet aty në hijen e rrapit, apo të murit kinez, bindesh se lakmia është tragjike.
Dëgjoni, boshësistët bëjnë zhurmë atje në parking para dritës së kuqe.