E Diel, 1 Nëntor 2026

Një spot i vjedhur për luftën kundër korrupsionit

Kryeministri, Sali Berisha, ka vjedhur tekstin dhe dizajnin e një spoti të përdorur nga një kandidat për president në Argjentinë, Ricardo López Murphy, në zgjedhjet e fundit presidenciale, në tetor të vitit 2007, për ta përdorur si bazë të një spoti propagandistik për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Teksti thuajse i njëjtë, përjashto shifrat e implementuara nga Berisha, dhe dizajni i kopjuar prej tij nuk janë ndonjë mëkat i madh, por janë në vendin e paduhur, në tekstin e paduhur dhe momentin e paduhur për kryeministrin tonë. Është ters i madh të nisësh fushatën antikorrupsion me një spot të vjedhur dhe kjo rrezaton mbi të gjitha ngutjen dhe mënyrën joligjore se si kryeministri po përpiqet ta organizojë këtë fushatë.

Por duke lënë mënjanë ata që ia kanë ideuar dhe ia kanë shitur mallin e vjedhur si prodhim të tyre, dua të ndalem së pari tek aspekti etik dhe moral i përmbajtjes themelore të këtij spoti. Pika kulmore e tij është fakti se kryeministri iu bën thirrje qytetarëve të denoncojnë korrupsionin në telefonin e tij. Kjo është një ide e gabuar, kundër shtetit ligjor, që rrezaton një mentalitet parademokratik dhe që përpiqet të grumbullojë rreth kryeministrit një autoritet fals. Kultura e një shoqërie demokratike na detyron të gjithë ne qytetarëve të saj të ndajmë pushtetet dhe të dimë se ku të adresohemi për probleme të ndryshme. Për shkelje të çdo ligji qytetarët e një vendi të lirë drejtohen në gjykatë apo prokurori dhe jo te kryeministri. Kjo është një kulturë autoritariste dhe antiligjore. Ideja që zot i luftës kundër korrupsionit është kryeministri dhe se ai mund të ndihmojë luftën kundër korrupsionit duke marrë informacion për ata që vjedhin në administratën e tij është shumë konspirative, e vjetër dhe imitim qesharak i strukturës së Sigurimit të Shtetit apo bashkëpunëtorëve vullnetarë të saj. Qytetarët duhet t’i denoncojnë hajdutët dhe kriminelët në prokuroi. Kjo është një ide qesharake vulgare dhe që dëshmon një degradim kulturor të tij. Është e papërfytyrueshme që në një shtet ligjor një kryeministër t’iu kërkojë qytetarëve të drejtohen tek ai dhe jo tek institucionet e drejtësisë. Është absurde që të marrësh kompetencat e prokurorit, gjykatësit dhe kujtdo tjetër, vetëm pse kërkon t’i dobësosh ata në opinion publik, për t’i bërë të pabesueshëm, nëse një ditë ata ngrenë akuza për ty si kryeministër. Ky kryeministër, që bëri betejë dymujore për të mos dorëzuar Fatmir Mediun në prokurori, ky kryeministër, që e quante politike heqjen e imunitetit të Lulëzim Bashës, ky iu kërkon qytetarëve të denoncojnë hajdutët e xhepave. Shqipëria nuk është e zhytur në korrupsion prej hajdutëve të xhepave, por prej kapjes së shtetit. Dhe shteti kapet, kur garat e mëdha, siç është rruga e Veriut, apo koncesionet e mëdha, siç janë ato për hidrocentrale mbi Devoll apo Vjosë, për privatizimet e mëdha, siç është ai skandalozi i ARMO-s, gara që janë komanduar nga klientela e kryeministrit. Kjo është kapje e shtetit dhe jo 50 mijë lekëshat që merr ndonjë hajdut nëpër zyra. Hajdutët e xhepave janë pjesë e kulturës sonë shoqërore, kulturë e ushqyer nga kryeministra si ky që i edukon njerëzit mos të shkojnë të denoncojnë te drejtësia, por te qeveria apo partia, e cila pastaj di se ç’bën me denoncimet e tyre.

Ky mendoj se është defekti thelbësor i atij spoti. Gënjeshtrat që vijojnë në të pastaj janë më të lehta dhe më të verifikueshme si qesharake. Shikoni disa prej tyre. Kryeministri thotë se ka kursyer mbi 280 milionë dollarë në prokurimet publike. Për ta kuptuar sa qesharake është kjo shifër, mjafton të kujtojmë se rruga Durrës-Kukës, 53 kilometra, kushton një miliard dollarë, me një kosto afërsisht 20 milionë dollarë për kilometër, nga një kosto prej 2 milionë dollarësh për kilometër që i kanë pas bërë rrugët paraardhësit e tij. Pra, ky njeri që ka bërë një rrugë dhjetë herë më të shtrenjtë se paraardhësit, shpik që ka fituar 280 milionë dollarë nga prokurimet publike, kur vetëm në këtë rrugë ka një diferencë prej 800 milionë dollarësh. Dhe duhet t’i kujtojmë se është një rrugë e prokuruar me procedurë ekstra, me kosto për kilometër dhe ende nuk dimë sa do të shkojë përfundimisht, por thjesht urojmë të bëhet dhe të përdoret për interes të Shqipërisë. Por budallenj nuk ka pse na bën.

Po ashtu, duhet t’i kujtojmë se shifrat prej 2 miliardë dollarësh që përmend për kursime nga taksat dhe tatimet, janë lojëra fjalësh. E vërteta është se buxheti është rritur me 2 miliardë dollarë, dhe ato kanë ardhur nga rritja e çmimeve të referencës, nga rritja taksave thuajse tri herë për buxhetet lidhur me referencat e pagave dhe shpenzimeve, si dhe nga rritja e çmimeve në botë të lëndës djegëse, kryesisht naftës, akcizën e së cilës e mbledh qeveria. Kjo rritje nuk ka ardhur nga perfeksionimi i sistemit, por nga brutaliteti i sistemit, nga rritja e gjobave ndaj biznesit, nga arbitrariteti në sulmet ndaj tij, duke rritur po kaq shumë sa të ardhurat e shtetit dhe pjesën që fitojnë hajdutët. E vetmja gjë që mund të thuhet është se hajdutët e vitit 2008 fitojnë më shumë se hajdutët e vitit 2005 për të njëjtin vend pune. Po kështu, janë fiktive gjithë shifrat për 100 zyrtarë të çuar para ligjit apo suksese të tjera të vetëshpallura.

Problemi i kësaj qeverie është se nuk ka mbajtur premtimet e saj kryesore. Ajo ka dështuar në çështjen e pronave dhe e ka zhytur atë çështje në një gropë të thellë korrupsioni, nga e cila zor se do dalë ndonjëherë. Kjo qeveri u tall në mënyrë kriminale me të persekutuarit politikë. Kjo qeveri dështoi në reformat në arsim, shëndetësi dhe tatime. Këtyre dështimeve qeveria duhet t’iu japë përgjigje, po të dojë dhe me spote publicitare, por me shifra reale.

Fakti që kryeministri është detyruar të vjedhë një spot për ta përdorur si spot kundër korrupsionit, dëshmon se nga ç’njerëz rrethohet, nga çfarë idesh udhëhiqet dhe çfarë vizioni ka. Duke vjedhur, është vështirë t’u mbushësh mendjen se po lufton vjedhjen. Duke gënjyer, është vështirë t’u mbushësh mendjen njerëzve se nuk gënjen. Dhe duke kërcënuar ata që të hedhin poshtë gënjeshtrat e tua, e ke të vështirë t’u mbushësh mendjen qytetarëve se nuk ke frikë konkurrencën dhe zgjedhjet që po vijnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›