Pse nuk bindin argumentet e diplomacisë ruse
Menjëherë pas njohjes së pavarësisë së Abkhazisë dhe të Osetisë së Jugut, Moska po mundohet të justifikojë vendimin e saj dhe të fshehë arsyet e vërteta që qëndrojnë pas këtij veprimi. Ditë me radhë krerët e Federatës Ruse janë shfaqur rregullisht përpara mediave më prestigjioze të botës duke u përpjekur të argumentojnë se njohja e pavarësisë së këtyre dy krahinave të Gjeorgjisë ishte një vendim i detyruar. Një zgjedhje e kryer nën presionin e rrethanave të jashtëzakonshme, të krijuara nga lufta ruso-gjeorgjiane. Në marrjen e këtij vendimi Rusia thotë se është nxitur nga nevoja për të parandaluar një katastrofe humanitare, si pasojë e pastrimit etnik dhe gjenocidit që Tbilisi historikisht ka ushtruar në dëm të popullsisë osete dhe abkhaze dhe nga respektimi i të drejtës së vetëvendosjes në përputhje me parimet e kartës së OKB dhe të aktit final të Helsinkit. Madje, presidenti Medvedev shkoi edhe më larg, duke lënë të kuptohet, përpara kamerave të BBC dhe CNN, se Osetia dhe Abkhazia zotërojnë elementet e nevojshme për t’u njohur si subjekte të së drejtës ndërkombëtare dhe se vetë njohja i vijoi dështimit të përpjekjeve 14-vjeçare të Rusisë për të ruajtur integritetin territorial të Gjeorgjisë. Në të vërtetë, asnjë nga pretendimet e mësipërme nuk i reziston dot forcës së një analize të paanshme dhe objektive rreth origjinës së konflikteve, rolit ndërmjetës të Rusisë, përmasave të gjenocidit që pretendohet se ka ndodhur, si dhe zbatimit të parimit të vetëvendosjes në rastin e veçantë të minorancave abkhaze dhe osete në Gjeorgji. Aq më pak e justifikueshme është njohja, nëse shqyrtojmë elementët shtetformues të dy krahinave në fjalë. Pavarësisht përpjekjeve, retorika e Moskës nuk mund të fshehë dot të vërtetën historike, faktin se konfliktet e shpërthyera në Abkhazi dhe në Osetinë e Jugut, në thelb nuk kanë patur natyrë etnike, por janë stisur dhe nxitur nga interesi i Rusisë për të hapur vatra konfliktuale në Gjeorgji, me qëllim ruajtjen e ndikimit të saj në rajon edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Ndryshe nga rasti i Kosovës, historikisht, këto dy krahina kanë patur popullsi të përzier. Madje, në Abkhazi gjeorgjianët, sipas regjistrimit të vitit 1989, përbënin shumicën relative të popullsisë me rreth 44%, ndërsa abkhazët vetëm 17.8% të saj. Historia e procesit të negociatave që vijuan pas fundit të konflikteve në fjalë tregon se Rusia nuk ka bërë kurrë përpjekje serioze për të ruajtur integritetin territorial të Gjeorgjisë. Marrëveshjet e armëpushimit, që i dhanë fund luftës në Abkhazi dhe Oseti Jugore, i njohën Moskës një rol ndërmjetësues, të cilin ajo qëllimisht e keqpërdori në favor të ngrirjes së konflikteve dhe mbështetjes të pretendimeve të separatistëve. Kurrë diplomacia e Kremlinit nuk mbajti një qëndrim asnjanës mes palëve ndërluftuese. Përkundrazi, ajo vazhdimisht mbështeti financiarisht, politikisht dhe ushtarakisht dy elitat e ngushta separatiste që kërkonin pavarësi. Një shembull i kohëve të fundit është fakti se qeveria e Osetisë së Jugut ka në gjirin e saj tre (3) rusë, të cilët zotërojnë postet kyçe të kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes. Po të kish qenë e interesuar në zgjidhjen e konflikteve, Moska do t′i kishte bindur klientët e saj në Oseti dhe Abkhazi që të pranonin propozimet realiste dhe të arsyeshme që nuk kanë munguar asnjëherë në Tbilisi. Ky i fundit ka propozuar vazhdimisht që të ruajë thjesht një sovranitet nominal mbi Osetinë, e cila do mund të gëzonte një autonomi të gjerë dhe lidhje të privilegjuara ekonomiko-kulturore me vëllezërit e Osetisë së Veriut. Ndërsa abkhazëve iu ka parashtruar edhe më shumë, mundësinë për të formuar një federatë, pavarësisht se nuk kanë qenë kurrë etni shtetformuese e Gjeorgjisë. Dhe vërtet, 90 mijë abkhazë apo 70 mijë osetë jo vetëm që nuk mund të jenë minoranca shtetformuese, por dhe nuk mund të ndërtojnë shtete të qëndrueshme, jetëgjatë dhe të pavarur. Në rastin më të mirë, të ashtuquajturat republika të Abkhazisë dhe të Osetisë së Jugut mund të jenë thjesht kukulla në duart e Moskës dhe përçuese të interesave të saj në Kaukaz. Në ligjin ndërkombëtar modern, vetëvendosja, në rastet kur mungon gjenocidi, ashtu siç ndodhi në Kosovë, përkthehet vetëm në të drejtën për të gëzuar autonomi kulturore dhe gjuhësore, në mënyrë që të ruhet identiteti i minorancave. Duke u ndalur te pretendimet ruse se Gjeorgjia ka ushtruar pastrim etnik dhe gjenocid ndaj osetëve dhe abkhazëve, lipset të theksohet se numrat tregojnë të kundërtën, sidomos nën dritën e zhvillimeve më të fundit në terren. Dhuna që përshkroi konfliktet në Kaukaz ka qenë gjithnjë e ndërsjellë dhe përkundër asaj që thonë rusët, sot ka rreth 200 mijë gjeorgjianë që janë përzënë nga vatrat e tyre në Abkhazi dhe që nuk kanë mundur të kthehen kurrë, pavarësisht detyrimeve ndërkombëtare që Abkhazia ka nënshkruar në këtë drejtim. Vërtet, gjatë luftës së viteve ‘90, rreth 30 mijë osetë braktisën trojet e tyre për t′u vendosur në Osetinë e Veriut, por janë të paktën 15 mijë gjeorgjianët që kanë patur të njëjtin fat të keq. Një fat të tillë, ndonëse me përmasa më të vogla, po e përjetojnë edhe gjeorgjianët e fundit që kanë mbetur në Gali dhe në grykat e Kodorit në Abkhazi, si dhe në Osetinë e Jugut. Fakti që tashmë në dy krahinat në fjalë jetojnë vetëm osetë dhe abkhazë, nuk i vërteton aspak pretendimet e Rusisë për gjenocid dhe pastrim etnik, por dëshmon të kundërtën, se popullsia me origjinë gjeorgjiane ka qenë viktima kryesore e këtyre konflikteve. Cilatdo që të jenë arsyet e vërteta të njohjes së republikave separatiste, logjika e argumenteve ruse, të bëra publike në mbështetje të këtij vendimi, duket se synon të nxjerrë Moskën të larë nga barra e çfarëdolloj përgjegjësie për vendimin e marrë dhe të ngarkojë me faj ekskluzivisht politikën e presidentit të Gjeorgjisë dhe mbështetësve të tij në Perëndim.
Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim pasqyrojnë ekskluzivisht mendimet e autorit