E Shtunë, 31 Tetor 2026

ATSH pranon përfshirjen në skandalin e prodhimit të gazetës “Tema®”

Drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Antoneta Malja, pranoi dje implikimin zyrtar të shtetit shqiptar dhe kryeministrit, Sali Berisha, në përpjekje për të deligjitimuar titullin e gazetës “TemA”. Në përpjekje për të sqaruar opinion publik, zonja Malja sqaron se agjencia e saj shtetërore ka promovuar një gazetë me emrin “Tema” dhe, në përpjekje për të bërë ironi me protestën e gazetës, thotë se gazeta e re nuk ka të njëjtin emër, pasi paska dhe një ® nga pas. Më tej, sqarimi i zonjës Malja është fund e krye një gënjeshtër. Ajo thotë se ky është një shërbim i ri i ATSH, nga i cili kanë përfituar të gjitha gazetat.

Redaksia e gazetës “TemA” e investigoi rastin në fjalë dhe ka gjetur disa elemente të rënda të shkeljes së ligjit, për të cilat redaksia do të padisë në gjykatë zonjën Malja, si një dhunuese e institucionit të shtypit në Shqipëri, rast për të cilin ajo është recidive.

Së pari, ATSH nuk ka bërë asnjë aktivitet të ngjashëm për asnjë gazetë, as nga Shqipëria, as nga Kosova, si ai që organizoi në fundjavën që shkoi për një gazetë fantazmë me emrin “Tema®”. Pavarësisht nivelit qesharak kulturor të zonjës Malja dhe përpjekjes së saj për të bërë të paditurën më shumë se ç’është, duhet t’i them se kjo gazetë nuk përfaqëson asgjë në Kosovë. Personi që ka përzgjedhur ATSH për ta paraqitur si botues, është një dështak, i cili ka tentuar të bëjë këtë gjë që bëri në Tiranë, dhe në Prishtinë para ca vitesh, por thjesht ka dështuar. Përpjekja për të ringjallur një kufomë, në përpjekje për të denigruar një gazetë të përditshme në Tiranë, është shqetësuese për nivelin e implikimit shtetëror kundër gazetës “TemA”. Në Kosovë ka dhjetëra gazeta ditore serioze dhe shumë cilësore që i bëjnë vërtet nder publikut shqiptar të promovohen këtu. Titulli që ka zgjedhur zonja Malja nuk i thotë asnjë gjë lexuesit në Kosovë. Injoranca e saj nuk është një justifikim për publikun shqiptar.

Së dyti, duhet t’i kujtojmë zonjës Malja se gazeta “Tema®”, që ajo ka promovuar me lajm dhe foto në ATSH dhe që i ka dhënë mjedise me qira në kat të parë të saj, do të ketë probleme me kredencialet e saj tatimore dhe të drejtën e emrit. Agjencia Telegrafike Shqiptare është një institucion shtetëror dhe e ka të ndaluar të bëjë partneritet me subjekte private të palicencuara që dëshmojnë modelin e Gërdecit për shtetin shqiptar. Një institucion shtetëror duhet të deklarojë së paku para gjykatës, cili është NIPT-i, cilët janë punonjësit e siguruar (24 vetë, sipas shkresës së Ridvanit), dhe ku është shtypshkronja ku shtypet kjo gazetë. Zonja Malja e ka provuar njëherë se si të lënë vetëm ata që të përdorin për të zaptuar institucionet e medias dhe do të ketë rast ta provojë përsëri, shumë shpejt.

Së fundi, duke ditur me kë kemi të bëjmë dhe me qëllimin real të kësaj ndërmarrjeje, duam të theksojmë se nuk jemi aspak të shqetësuar nga botimi i ndonjë gazete, qoftë dhe ditore me po këtë emër dhe këtë dizajn, pavarësisht problemeve ligjore. Gazeta “TemA” e ka fuqinë te produkti i saj, te personaliteti i gazetarëve të saj dhe te mbështetja që ka tek opinioni publik. Ne nuk mund t’i japim hua as autoritetin dhe as dinjitetin tonë për të bërë zbavitëse për kryeministrin shqiptar këtë ide qesharake që vetëm sa i shton atij listën e vjedhjeve në emër të shtetit.

Ne ndjehemi thjesht të fyer nga përpjekja e tij banale për të denigruar punën tonë me një tufë sharlatanësh mediokër, në krye të të cilëve qëndron drejtoresha e një institucioni shtetëror, që siç e theksuam dhe më lart është recidive në përdhosjen e institucioneve të shtypit. Na vjen keq që nuk kemi në çfarë numri telefoni ta dërgojmë me sms këtë ankesë, pasi, kur vjedh Sali Berisha, nuk mund të ankohesh te Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›