E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni uron Berishën për fitoren në zgjedhje



Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, uroi kryeministrin Berisha për fitoren e mandatit të dytë. Në një njoftim publikuar në faqen zyrtare të qeverisë mësohet se kryeministri italian i ka telefonuar Berishës dhe e ka cilësuar fitoren e tij të një rëndësie të madhe për vazhdimin e reformave të vendit dhe integrimit të tij në Bashkimin Europian.
Kryeministri italian Berluskoni e përgëzoi kryeministrin Berisha për koalicionin që ka bërë me zotin Ilir Meta dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u shprehur se “ky është veprimi i duhur që unë personalisht e përshëndes”. Kryeministri italian Berluskoni theksoi se ky përbën një koalicion premtues për Shqipërinë. Berluskoni e siguroi kryeministrin Berisha se ai dhe qeveria italiane do t’i japin një mbështetje të fuqishme dhe të gjithanshme qeverisë së re, në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit të vendit në BE. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, për mbështetjen e përhershme që i ka dhënë Shqipërisë dhe kryeministrit Berisha në veçanti, si dhe i shprehu vendosmërinë e tij dhe të qeverisë së tij për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›